Së bashku me kryetarin e Gjilanit, z. Lutfi Haziri, takuam përfaqësuesit institucional të komunave të Luginës së Preshevës. Me kryetarin e Bujanovcit, Shaip Kamberi, nënkryetarin e Preshevës, Armend Aliu dhe Fehmi Beha, asambleist nga Komuna e Medvegjës, biseduam për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e cila duhet trajtuar në mënyrë shumë serioze nga shteti i Kosovës.
Gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është e rëndë, prandaj askush nuk guxon të luaj me fatin e këtyre bashkëkombëve tanë. Nuk jemi kundër vëllezërve tanë atje, por ndërrim të territoreve nuk do të ketë. Arsyeja është se të dy këto pjesë janë shqiptare, edhe lindja edhe veriu i Kosovës. Ajo që duhet bërë në këtë moment është që të ketë konsensus politik, të Parlamentit të Kosovës dhe partive politike për një platformë të qartë të bisedimeve. Nuk lejoj që të jetë pikë e rendit të ditës shkëputja e veriut.
E bëra të qartë mendimin tim, se kërkesa e kryetarëve të komunave të Luginës së Preshevës e dorëzuar te presidenti Thaçi për çështjen e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën është e drejtuar në vend të gabuar, për shkak se vendi i duhur për dorëzimin e kësaj kërkese është Kuvendi i Kosovës.
AB