Këto komente ai i ka bërë gjatë takimit me ambasadorin e Britanisë në Kosovë, Ruari O’Connell, pas nënshkrimit të memorandumit për rekrutimin e njerëzve profesionalë në pozita të larta në institucionet e vendit.
“Ne si Kosovë kemi bërë një veprim shtetëror që ka qenë i dhimbshëm dhe kur zyrtarët e Serbisë vijnë në Kosovë promovojnë gjëra që nuk janë të mira, as për qytetarët serbë, e as të Kosovës. I falënderoj forcat e larta të sigurisë edhe pse deklaratat nuk kan përku me atë çfarë kanë ardhur”.
Veseli e ritheksoi qëndrimin e tij se integriteti i Kosovës është i pacenueshëm. Ai gjithashtu tha se regjioni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për integrim euroatlantik.
“Ujmani do të jetë në Kosovë dhe integriteti i Kosovës është i pacenueshëm. Ne do të sjellim partneritet dhe fqinjësi të mirë. Ne duam qe të kemi një finale të madhe. Regjioni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për integrim euroatlantik. Kur vjen mysafiri duhet me duru edhe kur thotë ndonjë fjalë të randë”.
Ambasadori O’Connell nuk ka dashur ta komentojë vizitën e presidentit të Serbisë në Kosovë duke thënë që Kosova duhet të jetë mirë e përgatitur për fqinjësi të mirë, raporton EO.
“Debati që është zhvilluar kohëve të fundit na tregon sa është i rëndësishëm normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kosova ka institucionet e veta dhe është e rëndësishme që ajo të bëhet gati për normalizimin e marrëdhënieve”.