Është zbuluar më në fund e vërteta lidhur me lajmin e publikuar disa ditë më parë, se Edi Rama kishte nisur një “biznes” të shitjes së kravatave.
In tv ka shkuar në dyqanin në fjalë ku në vitrinë janë vënë kravatat me nënshkrimin Edi Rama. Kollaret janë prodhuar përmes teknologjisë së fundit 3D dhe sipas denoncimit që publikoi Berisha, ato kushtonin deri në një mijë euro copa.
Por ndryshe thotë pronarja e dyqanit, e cila ironikisht është ish deputete demokrate. Lajla Përnaska tregon për In tv se kravatat janë në fakt të dizenjuara nga kryeministri, por nuk janë në shitje.
“Modelistët tanë kanë pasur një atraksion nga kombinimi i ngjyrave të zotit Rama dhe fakti që mbasi janë aplikuar dhe integruar në modelin 3D, kanë dalë produkte vërtet shumë interesante. Kjo tregon se kombinimi i ngjyrash është i duhuri për të nxjerrë një produkt 3D”-tha ish deputetja.
Por pavarësisht faktit se nuk janë në shitje, ish deputetja nuk e përjashton mundësinë që një ditë ato do të shiten.
“Ka dalë një gjë shumë interesante dhe e veçantë , por që dua të theksoj se nuk janë në shitje, por vetëm të ekspozuara. Nuk bëhet fjalë për ndonjë marrëveshje shitjeje deri në këto moment që flasim”- shprehet ish demokratja.
Por pavarësisht të drejtës legjimitime të Përnaskës për të vijuar me biznesin e saj të rregullt, e habitshme është sesi kryeministri i vendit vijon të merret me “biznes” pikturash, kravatash e shitje librash. Do të ishte e paimagjinueshme që një drejtues në detyrë i ndonjë vendi evropian, të vërdallisej për të shitur produktet e tij të artit. Mos është ky një biznes që Rama kërkon ta nisë që tani, përpara se të dalë nga politika? Apo është një shenjë e qartë se kryeministri Rama dhe narcizizmi janë sinonimë si emra?!