Këshilli i Ministrave të BE-së, pengesa e fundit që duhet kaluar për heqjen e vizave

Pas votimit pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga Komiteti për Liritë civile drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE)

Pas votimit pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga Komiteti për Liritë civile drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE), i cili funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian, sot dritën e gjelbër heqjes së vizave ia dha edhe Parlamenti Evropian.

420 deputetë të Parlamentit Evropian votuan pro heqjes së vizave për Kosovën, ndërkaq 186 ishin kundër edhe 22 abstenime.

Pas kalimit edhe të kësaj faze, Kosovës do t’i duhet të kalojë edhe një fazë tjetër tejet të rëndësishme, e që është ajo e Këshillit të Ministrave e në të cilën duhet të sigurohet shumica e kualifikuar e votave të shteteve anëtare, shkruan Telegrafi.

Sipas Artan Muratit nga Instituti Demokratik i Kosovës, mbledhja e Këshillit të Ministrave mund të mbahet muajin e ardhshëm.

“Siç edhe pritej, Parlamenti Evropian votoj pro heqjes së vizave për Kosovën. Përballjen në Këshill (me shtetet anëtare) mund ta kemi muajin tjetër. Këtij procesi po i vie fundi”, ka shkruar Murati në Facebook.