Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë sot prezentimin e gjetjeve nga hulumtimi për matjen e opinionit publik në Kosovë lidhur me gjendjen aktuale politike, si dhe preferencat politike të qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme.
Të anketuarit që kanë deklaruar se për cilin subjekt politik do të votonin në zgjedhjet e ardhshme, janë pyetur edhe lidhur me koalicionet e mundshme mes atij subjekti dhe partive tjera, shkruan lajmi.net.
Megjithatë, trendet e përgjithshme të këtyre rezultateve tregojnë se shumica e elektoratit në Kosovë preferojnë që subjektet e tyre të garojnë të vetme në zgjedhje.
Mirëpo rezultate interesante janë vërejtur tek elektoratet e partive në lidhje me preferencat e tyre të mundshme për koalicion.
Kështu, votuesit e LDK-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me VV-në (27%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me PSD-në (60%).
Votuesit e PDK-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me PSD-në (25%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (86.
Ndërkaq votuesit e Vetëvendosjes janë më së shumti kundër një koalicioni me PDK-në, ndërsa do ta pranonin më së shumti një të tillë me LDK-në.
Mirëpo, votuesve të PSD-së siç duket u ka ngelur ende ‘hatri’ me Vetëvendosjen. Ata janë shprehur më së shumti kundër që PSD-ja të bëjë koalicion me Vetëvendosjen (gjithësej 65 %), ndërkaq që sipas tyre partia më e preferueshme do të ishte AAK-ja.
E inate të mbetura siç duket nuk kanë votuesit e Nismës. Ata më së shumti do ta preferonin një koalicion me PDK-në, ndërkaq që janë kundër një koalicioni me Vetëvendosjen.
S ubjektet si AKR dhe Alternativa, që kanë përqindje më të vogël të votuesve, janë subjekte të preferuara për të qenë në koalicion, për shumicën e votuesve të partive tjera. Mirëpo për shkak të përqindjes së ulët të votuesve që janë deklaruar se do të votonin për to nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, këto subjekte nuk janë përfshirë në tabelë.