Fondacioni “Jahjaga” organizoi konferencën e donatorëve në të cilën u prezantua strategjia e punës së këtij fondacioni për pesë vitet e ardhshme.
Si mision i këtij Fondacioni është avancimi i mëtutjeshëm i proceseve demokratike dhe zhvillimi demokratik i vendit me tre programe, ndër ta: gjithëpërfshirjen shoqërore, pajtimin ndëretnik dhe rajonal, si dhe sigurinë.
Si objektiva strategjike për pesë vitet e ardhshme ky fondacion ka paraparë fuqizimin social, ekonomik e politik të grave si parakusht për pjesëmarrje të barabartë në jetën publike, përfshirjen e rinisë në zhvillimin e vendit dhe angazhimi shoqëror rreth pajtimit rajonal, qasjes në drejtësi dhe ballafaqimi me të kaluarën.
Si kryesuese e këtij fondacioni, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se fondacioni qysh prej marsit të këtij viti kur ka filluar punën ka bërë hapa të vegjël, por të sigurt.
Duke u bazuar në kërkimet e UNDP-së që u publikuan para disa ditësh, në të cilën thuhet se një përqindje e madhe e të rinjve kanë aspirata për tu larguar nga vendi, Jahjaga kërkoi gjithpërfshirje më të madhe të rinisë në të gjitha fushat në vend, në mënyrë që ata të shohin të ardhme në vendin e tyre.
Ajo përmendi gjithashtu edhe gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, ku tha se ende nuk është gjetur zgjidhje për to dhe se janë në pritje të të drejtave që u garantohen me ligj.
Ish-presidentja e parë grua në Ballkan, tha se për të qenë një grua e pavarur ajo duhet të jetë e fuqizuar ekonomikisht.
“Takimi ynë i sotëm është një ftesë për një bashkëpunim e bashkërendim të aktiviteteve tona në 3 çështjet kryesore, në të cilat do të angazhohet fondacioni. Për çështjen e gruas, rinisë, fushën e rinisë, veçanërisht për fushën e sigurisë e veçanërisht atë që ka të bëjë me dukuritë negative të shoqërisë tonë, krimin e organizuar, korrupsionin dhe ekstremizmin e dhunshëm, si dhe për fushën e bashkëpunimit rajonal dhe ballafaqimin me të kaluarën. Këto tema ishin fokus i punës sime edhe si presidente e dikurshme e Republikës, por që kur nisëm punën si Fondacion e kam kuptuar se të veprosh jashtë kapacitetit shtetëror është shumë më e vështirë se sa të jesh në shërbim të qytetarëve si kryetare e shtetit. Megjithatë edhe si presidente edhe tash si themeluese e këtij Fondacioni një gjë e di të sigurtë, ndryshimin mund ta bëjmë vetëm atëherë në qoftëse jemi të bashkuar dhe në qoftëse veprojmë si t ë bashkuar. Kauzat tona janë të përbashkëta dhe kërkojmë angazhim të përbashkët”, tha ajo.
I pranishëm në konferencën e Fondacionit “Jahjaga”, ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, i cili tha se ka dëgjuar e lexuar për ato që kanë ndodhur gjatë luftës së ’99-ës dhe se roli i përgjithshëm i shoqërisë civile ka qenë mbresëlënës, transmeton KP.
Ai tha se ka takuar edhe të rinj të Kosovës që kanë studiuar jashtë vendit e që më pas kanë kontribuar në vendin e tyre, dhe kjo sipas tij, e shtynë të jetë pro liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Natyrisht se ka edhe një shkallë të caktuar të varësisë nga ndihma ndërkombëtare dhe nga donatorët bilateral. Këto nuk mund të ndahen nga tjetra dhe shkojnë bashkë dhe kjo deri në një masë të caktuar do të jetë një ndarje të barabartë. Ato organizata që janë të ndërlidhura ose që kanë lidhje të mira, kane raporte personale për studime përkatëse, natyrisht që janë më afër të themi instrumenteve financuese e kështu me radhë, se sa të tjerat. Dhe kjo natyrisht që është e natyrshme dhe nuk është specifike vetëm për këtë vend që është një boshllëk i caktuar ndërmjet organizatave që janë të pranishme në kryeqytet që kanë lidhje të mira dhe ato në vendet tjera. Dhe mendoj se është një sfidë e madhe për donatorët dhe shoqërinë civile në vend që të përpiqen t’i ndihmojnë organizatat”, tha ai.
Ndërsa përfaqësuesja e UNDP-së, Ulrika Richardson Golinski, tha se shoqëria civile ka një rol shumë të rëndësishëm në formimin dhe drejtimin e një shteti.
“Një rol shumë i rëndësishëm i shoqërisë civile është edhe përfaqësimi i grupeve të cenueshme, në rastin e punës që e bëjnë edhe fondacioni. Ne punojmë në drejtësinë tranzicionale e ngritjen e zërit të grave që janë të mbijetuara të dhunës seksuale dhe kjo është një punë e rëndësishme që do të thotë se ne përreth botës punojmë me shoqërinë civile, dhe me njërën anë të plotësojmë shtetin ku shteti është joefektiv e aty ku mund të arrijë, mund të jetë në situata të konfliktit dhe zhvillimit të vendit. Dhe përsëri të ngrisim zërin e grupeve të margjinalizuara ose grupet që janë në veçanti të cenueshme. Por kur e bëjmë këtë ne nganjëherë harrojmë se duhet marrë parasysh edhe pjesën tjetër e cila është shumë e rëndësishme për ndërtimin e shoqërisë, e kjo është po ashtu mendoj që edhe ambasadori i referohej kësaj çështje, sepse për ndërtimin e një shoqërie duhet të ketë hapësira për ndërtimin e pjekurisë politike të popullsisë”, tha ajo.
Ndryshe, takimi i sotëm i Fondacionit “Jahjaga”, mblodhi donatorë, organizata ndërkombëtare që operojnë në Kosovë dhe organizata lokale joqeveritare,për të diskutuar mënyrat e rritjes së bashkëpunimit dhe lidhjes së partneritetit.