Sipas Avaz, që citon zyrtarë të NATO’s, Kosova do të mund të anëtarësohej në Aleancën Veriatlantike pas 20 vjetësh.
Zyrtari i lartë ndërkaq ka thënë se në rajon për këtë aleancë ushtarake dy problemet më të mëdha janë Maqedonia dhe Bosnja.
Duke komentuar zhvillimet në Maqedoni, zyrtari i NATO’s ka thënë se i vlerësojnë përpjekjet që po i bën Shkupi, por kanë thënë se gjithçka është në zhvillim e sipër dhe se ka rrezik që situata të shkojë në drejtim të gabuar.
“Kjo nuk do të na befasonte. Jemi mësuar me skenarë të tillë” në Ballkan.
Sipas Avaz, ushtarakët në NATO, Ballkanin e cilësojnë si të parëndësishëm në raport me krizat tjera si Lindja e Mesme, terrorizmi global, Irani, Koreja e Veriut.
“Ju jeni krejtësisht të parëndësishëm” ka thënë zyrtari i NATO’s.
Ndërkohë, duke përcjellë tutje deklaratat njofton se në NATO vlerësojnë se Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova do të mund të bëhen anëtare të plota të NATO’s pas 20 vitesh. Ndërkohë që për Serbinë thonë se nuk janë të sigurt nëse dëshiron të bëhet anëtare e NATO’s.
Gazeta boshnjake shkruan se zyrtarët e NATO’s kanë thënë fjalë të mira për Presidentin e Serbisë Aleksandar Vucic duke përmendur vizitën e tij në Selinë e NATO’s.
“Ai i ka vlerësuar pozitivisht raportet e NATO’s me Serbinë, ka thënë ato që janë suksese reale dhe pengesa. Vuçiq është më i mirë se paraardhësit e tij. Veçmas më i mirë se Nikolic” kanë thënë në NATO.
Po ashtu, në NATO thonë se pozicioni i “dy karrigeve’ i Serbisë nuk e irriton aleancën.
“Këtë vit kemi pasur 120 aktivitete të përbashkëta me Serbinë. I kemi 20 ushtrime me këtë vend përfshirë edhe manovrat e mëdha në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. E dimë se Serbia me Rusinë i ka pasur këtë vit 4 manifestime të përbashkëta të tilla” ka thënë ushtaraku anonim i NATO’s, shkruan Avaz.