Lidhja Demokratike e Kosovës po e akuzon partinë e Ramush Haradinajt, se njerëzit e tyre po i kërcënojnë KQZ-në dhe PZAP-in pas rezultatit në Istog, ku Haki Rugova doli në epërsi ndaj Gani Dreshajt të AAK-së në këtë komunë. Ky subjekt, po kërkon nga organet përgjegjëse që të përfundojnë sa më shpejt të gjitha procedurat e parapara ligjore për shpalljen dhe certifikimin e rezultatit.
"Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson lart mbështetjen e qytetarëve të Istogut për kandidatin e saj z. Haki Rugova, duke u nisur edhe nga fakti se përballë tij ishin në një koalicion të “natyrshëm” të gjitha partitë tjera politike që ishin pjesë e garës në raundin e parë të zgjedhjeve në këtë komunë", thuhet në njoftim.
Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga organet përgjegjëse që me profesionalizëm dhe paanshmëri t’i përfundojnë të gjitha procedurat e parapara ligjore për shpalljen dhe certifikimin e rezultatit me qëllim që të përmbyllet sa më parë ky proces i tejzgjatur zgjedhor në Komunën e Istogut që ndodhi pikërisht për shkak të manipulimeve të identifikuara nga LDK-ja e të konfirmuara nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme, të kandidatit Gani Dreshaj dhe subjektit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës, me shqetësim të thellë është duke përcjellë presionin e jashtëzakonshëm që është duke iu bërë organeve të pavarura kushtetuese siç janë KQZ dhe PZAP, pjesëtarët e të cilave madje janë kërcënuar edhe “me burg” nga partia e kryeministrit Haradinaj dhe nga pjesëtarët e caktuar të kësaj Qeverie.
Lidhja Demokratike e Kosovës këto veprime i konsideron si të papranueshme duke i vlerësuar edhe si veprime që cenojnë rëndë rendin kushtetues dhe demokratik në Republikën e Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron të njoftojë qytetarët e Kosovës në përgjithësi, ata të Komunës së Istogut në veçanti, që nuk do të lejojë me asnjë kusht, që përmes presionit të hapur që po i bëhet organeve të pavarura kushtetuese nga ana e Qeverisë që udhëhiqet nga të njëjtit partnerë koalicioni që ishin bashkë edhe në mbështetje të kandidatit të AAK-së në Istog, të cenohet integriteti i procesit zgjedhor, proces ky që sipas të gjitha vlerësimeve, ishte i rregullt, i lirë e demokratik.
"Sido që të jetë, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të vazhdojë të ndjekë nga afër këtë proces duke e dhënë kontributin e saj brenda kornizave ligjore që, procesi zgjedhor në këtë komunë i cili u vlerësua si plotësisht i rregullt nga të gjithë, deri në daljen e rezultatit, të mos devalvohet me prova të fabrikuara, me dëshmitar të rrejshëm dhe me pretendime të pabazuara për kinse parregullsi gjatë procesit zgjedhor", thuhet ndër tjerash.