Edhe më tutje është shumë herët të thuhet se cila është fuqia politike e Kurtit dhe e Molliqajt, por nisur nga disa aleanca të mëhershme dhe të tanishme, statuse në Facebook, intervista televizive, reagime të familjarëve, pak a shumë mund të dihet se çfarë fuqie politike ka Kurti e çfarë Molliqaj me aleatët e tij, në të gjitha nivelet e fuqisë politike të kësaj partie
Në të gjithë nivelet e politikës, qoftë në ato partiake, qoftë në ato shtetërore, dy grupet rivale të LVV-së po i testojnë forcat. Ndarja, ose pozicionimi, ka shkuar edhe deri në burgjet e Kosovës, atje ku po e vuajnë dënimin zyrtarët e kësaj partie të gjykuar për vepra të terrorizmit. Prej katër të dënuarve, dy janë me Dardan Molliqajn e dy me Albin Kurtin.
Në anën tjetër, ndarja nuk është hiç më e vogël edhe në pushtetet komunale. Nisur nga postimet e mbrëmshme në FB, vëllai i kryetarit të Kamenicës, Qëndronit, është rreshtuar në krah të Dardanit, lidhur me polemikën nëse ish-sekretari i përgjithshëm i LVV-së mund t'i përfaqësojë në një debat televiziv të organizuar në KTV.
Dy prej familjeve të të dënuarve për terrorizëm, me anë të një letre kërkuan nga Molliqaj që të mos i përfaqësonte fëmijët e tyre në Rubikon. Lidhur me këtë reagoi Gëzon Kastrati, duke e quajtur absurde kërkesën e këtyre dy familjeve. Sipas Gëzonit, Molliqaj vazhdimisht, gjatë gjithë procesit ishte kujdesur për katër të burgosurit. Kjo lë të kuptohet se në të njëjtën linjë është edhe Qëndroni, kryetar i ri i Kamenicës.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, edhe më tutje nuk ka thënë asnjë fjalë, asnjë status, lidhur me ndarjet në LVV. Ahmeti ka marrë pjesë në mbledhjen diskutabile të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, ndonëse reagimi i tij vetëm në atë mbledhje ka qenë disponimi jo në nivel.
Rrethi afër Ahmetit, siç është Fisnik Ismaili, Visar Ymeri, djali i tezës së Shpendit, tashmë i kanë bërë të ditura qëndrimet e tyre që janë kundër Kurtit për të kandiduar për kryetar të partisë.
Kryetari i zgjedhur i Prizrenit, gjithashtu, nuk ka folur. Ajo çfarë dihet për të është afërsia e madhe që ai e ka me Aida Dërgutin. Kjo e fundit, kur Haskuka e fitoi Prizrenin, e kishte falënderuar deputetin e Nismës për Kosovë, Zafir Berishën, për fitoren e Haskukës, pa e përmendur askund Kurtin.
Pra, në nivel të pushtetit komunal mbështetja për krahun e Molliqajt, e ku padyshim është edhe Ymeri bashkë me rrethin e tij, është më e madhe sesa ajo e Kurtit.
Mbetet enigmatike edhe më tutje se cila është fuqia politike e Kurtit dhe ajo e Molliqajt në Kuvendin e Kosovës. Pra, në rast ndarjeje, siç ka paralajmëruar Ymeri, sa deputetë do t'i kishte krahu i Kurtit e sa do t'i kishte krahu i Molliqajt?
Sipas disa përllogaritjeve në bazë të statuseve në FB, në bazë të aleancave të mëhershme, në bazë të qëndrimeve të fundit, duket që fuqia e njërit dhe tjetrit grup edhe në nivel deputetësh është jashtëzakonisht e nivelizuar.
Pro Kurtit janë 14 deputetë të Vetëvendosjes, kurse në krahun tjetër janë rreshtuar 10-11 deputetë. Më poshtë është lista me emrat e deputetëve që janë pro dhe kundër Albin Kurtit.
Albin Kurti
Glauk Konjufca, me Kurtin
Albulena Haxhiu, me Kurtin
Donika Kadaj – Bujupi, me Kurtin
Liburn Aliu, me Kurtin
Driton Çaushi, me Kurtin
Sami Kurteshi, me Kurtin
Besa Baftiu, me Kurtin
Ismajl Kurteshi, me Kurti
Fatmire Kollçaku, me Kurtin
Valon Ramadani, me Kurtin
Arbërie Nagavci, me Kurtin
Xhelal Sveçla, me Kurtin
Fitore Pacolli – Dalipi, me Kurtin
Dardan Molliqaj
Visar Ymeri, me Molliqajn
Dardan Sejdiu, me Molliqajn
Aida Dërguti, me Molliqajn
Fisnik Ismaili, me Molliqajn
Dukagjin Gorani, me Molliqajn
Ali Lajçi, neutral
Faton Topalli, me Molliqajn
Salih Salihu, neutral
Mytaher Haskuka, mendohet se është me Molliqajn
Frashër Krasniqi , me Molliqajn
Qëndron Kastrati, me Molliqajn
Arbër Rexhaj, neutral
Shqipe Pantina, me Molliqajn
Drita Millaku, neutrale
Saranda Bogujevci, me Molliqajn
Por ka edhe një pjesë të deputetëve, më saktësisht gjashtë deputetë, për të cilët ende nuk dihet se cilin grup po e mbështesin.
Rexhep Selimi mendohet se është shumë i afërt me Shpend Ahmetin, rrjedhimisht edhe ai thuhet të jetë pjesë e grupit kundër Albin Kurtit. Por, deri më tash, ish-komandanti i njohur i luftës nuk është deklaruar publikisht rreth preferencave të tij për kryetarin e ardhshëm të Vetëvendosjes.
Deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, ndërkaq, duket totalisht i çorientuar përballë luftës së brendshme në parti. Përpara se të identifikohet si krah i Kurtit apo Molliqajt, për Mikullovcin është më e saktë të thuhet se është thjesht i painformuar.
Sali Salihu, deputeti i kësaj partie nga Vitia, mund të cilësohet si neutral në këtë luftë, ashtu sikurse edhe Ali Lajçi, Arbër Rexha e Drita Millaku.