• E mërkurë / Oct-23 02:32
  • Kontakt

''MZHE'' tregon çka përmban marrëveshja me “Contour Global”

Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar Marrëveshjet Komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”për ndërtimin e termocentralit...

Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar Marrëveshjet Komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Investimi prej 1.3 miliard euro do të jetësojë njësinë e re prej 500 megavatesh brenda një periudhe katërvjeçare.

“Contour Global”do të siguron kapitalin (30% të vlerës se projektit) dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare duke e bërë këtë investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë.

Termocentrali “Kosova e Re” do të bëhet katalizator i zhvillimit ekonomik duke ofruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, mungesë e cila i ka kushtuar ekonomisë vendore rreth 300 milionë euro humbje në vit.

Ndërtimi i këtij termocentrali po bëhet për t’i dhënë pavarësi energjetike Kosovës dhe për ta zvogëluar varësinë nga çmimi i paparashikueshëm të energjisë në tregun rajonal. Krahas sigurisë në furnizim me energji, misioni i njësisë së re po bëhet për të zëvendësuar njësitë e vjetra prodhuese të TC “Kosova A”.

Termocentrali “Kosova e Re” do të ndërtohet në përputhje me standardet mjedisore të Direktivave të Bashkimit Evropian. Me teknologji të re super-kritike, njësia do të ketë efiçencën neto më të madhe se 40.0% duke përdorur sistemet më të fundit të djegies së brendshme dhe të kontrollit të cilësisë së ajrit.

Kjo nënkupton konsum më të vogël të linjitit dhe rrjedhimisht emetim më të ulët. Masat e tjera që do të merren gjatë këtij procesi për të vënë nën kontroll ndotjen përfshijnë mbylljen e TC “Kosova A” dhe rehabilitimin e TC “Kosova B”.

Një numër i madh i punëtorëve dhe kompanive të nënkontraktuara do të angazhohen gjatë fazës së ndërtimit. Nga momenti kur termocentrali të jetë operacional, do të krijohen qindra mundësi të punësimit të qëndrueshëm për të operuar me njësinë e re.

Termocentrali “Kosova e Re” do të jetë aset kryesor në aspektin strategjik dhe do të jetë burim afatgjatë i energjisë termike për ngrohje të hapësirave në komunat përreth. Jetësimi i këtij projektit shënon njërin nga hapat më të rëndësishëm drejt përmbushjes së synimeve të shtetit të Kosovës për pavarësinë energjetike të vendit.

Përcaktimi në prodhim të energjisë nga linjiti është përkrahur nga studime të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Bankën Botërore. Kjo Bankë ka mbështetur në vazhdimësi procesin e zhvillimit të termocentralit Kosova e Re si zgjidhja më e përshtatshme për Kosovën meqë kapacitetet nga Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (BRE) nuk janë të mjaftueshme.

Pa plane për ndërtimin e termocentraleve të tjera të reja me djegie të linjitit (pas TC “Kosova e Re”) roli i thëngjillit në pjesëmarrjen e prodhimit të energjisë në Kosovë do të humb rëndësinë dhe kapacitetet e reja prodhuese duhet të bazohen ekskluzivisht në BRE.

ContourGlobal ka parashikuar të krijojë Fondin për Zhvillimin e Komunitetit, buxheti i të cilit arrin një shumë prej 10 milionë Euro e që do të investohen për një periudhë shtatë-vjeçare. Këto mjete do të investohen në komunat që prek TC “Kosova e Re” me qëllim të përmirësimit të mjedisit social dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik përmes punësimit.

Në fazën e dytë, pas nënshkrimit të Marrëveshjeve Komerciale, ContourGlobal do të shpallë një proces ndërkombëtar të prokurimit për të përzgjedhur kompaninë e cila do të ndërtojë impiantin e termocentralit “Kosova e Re”.

Deri më sot, interesim kanë shfaqur kompani me shtrirje globale si GeneralElectric, MitsubishiHitachi, Siemens, Doosan, etj.

TC “Kosova e Re” parashikohet të vihet në punë në vitin 2023, ndërsa Qeveria e Kosovës do ta marrë në pronësi impiantin pas një periudhe 20 vjeçare dhe pa asnjë kosto.

Jetëgjatësia e termocentralit është llogaritur 40 vjet, periudhë e mjaftueshme tranzitore drejt sigurimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.