Rritja e vlerës së Bitcoin nuk ka të ndalur

Bitcoin po fillon të duket gjithnjë e më pak si një valutë

Vlera e 1 Bitcoin ka kaluar 7,400 dollarë ditën e fundit tregtare të kësaj jave. Valuta digjitale kaloi vlerën e 7,000 dollarëve për të parën herë ditën e Enjte.

Analistët mendojnë se më shumë investitorë institucionalë mund të përshtaten me valutën digjitale, pasi operatori i derivateve financiare, CME, lajmëroi se do të paraqesë kontrata “futures” për Bitcoin gjatë këtij viti. Aktiviteti i fortë pas lajmërimit të CME, bëri që vlera totale në treg e të gjithë valutave digjitale të arrijë për të parën here, 200 miliardë dollarë.

Vlera e të gjitha monedhave Bitcoin në qarkullim është rritur sipër 124 miliardë dollarëve. Që prej fillimit të vitit, valuta është rritur me 640%. Rregullimi i favorshëm ka qenë një nxitës i çmimit të Bitcoin, duke marrë parasysh rritjen e fortë që mori kur autoritetet japoneze lejuan dyqanet që të pranojnë pagesa me këtë monedhë.

Megjithatë, edhe numri i kritikëve ndaj valutave digjitale është shtuar. Kreu i JPMorgan, Jamie Dimon e quajti Bitcoin një mashtrim dhe kërcënoi se do të pushojë nga puna këdo brenda kompanisë që tregton valutën.

Kreu i BlackRock, Larry Fink, e quajti Bitcoin si indeksin e pastrimit të parasë. Kina, së fundmi, ka ndaluar aktivitetin e pikave të këmbimit të valutës digjitale. Megjithatë, mosreagimi i valutës ndaj lajmeve negative reflekton edhe indiferencën e investitorëve të këtij aktivi.