Thaçi: Nuk do t’i kthehem PDK-së

​Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë një lajm të madh të enjten. Se është kumt i mirë ose i keq, varet nëse jeni mbështetës ose kundërshtar i tij...

Në konferencën e fundvitit Thaçi ka thënë se mund të kandidojë vetëm edhe një herë për postin e kreut të shtetit dhe ka paralajmëruar se ai nuk do t’i kthehet as PDK-së, por as legjislativit e ekzekutivit, shkruan Koha Ditore.

“Për mua është më se e qartë se angazhimi im politik në jetën institucionale nuk do të ketë rikthim në proceset që i kam kaluar, as në të udhëhequrit e partisë, as pjesë e ndonjë përbërjeje të Parlamentit, e as në ndonjë pozicion të qeverive të ardhshme të Kosovës. E theksova, e vetmja mundësi e angazhimit tim politik është këtu ku jam, në Presidencë, por edhe mundësia e garës që është e drejtë kushtetuese dhe ligjore edhe për një mandat, nëse zgjedhjet mbahen drejtpërdrejt për presidentin”, ka thënë kreu i shtetit.

“Nëse jo, atëherë mbeteni pa mua në skenën politike”.