Shfuqizimi i Speciales, Hoti thirrje për Thaçin, Veselin e Haradinaj

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë thirrje që të hiqet dorë nga ideja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Avdulla Hoti ka thënë se krerët e shtetit duhet të tregojnë maturi politike dhe se nuk duhet cënaur raporet me shtetet që mundësuan pavarësinë e Kosovës.

Postimi i plotë i tij:

TË MOS E CENOJMË MIQËSINË ME SHBA, SEPSE ËSHTË JETIKE PËR RRUGËTIMIN E KOSOVËS DREJT INTEGRIMEVE EURO-ATLANTIKE

Jemi në prag të përvjetorit të dhjetë të pavarësisë. Një dekadë si shtet i pavarur duhet të na bëjë më të përgjegjshëm karshi obligimeve ndërkombëtare që kemi marrë me vullnetin e lirë.

Nuk guxojmë të eksperimentojmë dhe të cenojmë miqësitë që kemi me shtetet që na bënë të mundur realizimin e ëndrrave tona për liri e pavarësi.

Tre bartësit e institucioneve të vendit duhet të tregojnë maturi politike shumë më të madhe. Në fund të fundit, duhet të tregojmë para shteteve mike se nuk i druhemi drejtësisë ndërkombëtare dhe në fakt duhet të kërkojmë me ngulm që kjo gjykatë të jetë shumë më efikase që Kosova të lirohet sa më parë nga çfarëdo akuze e pretenduar.

Departamenti Amerikan i Shtetit në deklaratën e fundit ka qenë shumë i qartë në kërkesën që ka ndaj institucioneve të Kosovës dhe spektrit politik kosovar. Pres që të gjitha forcat politike të reflektojnë në këtë drejtim dhe t’i bashkohen LDK-së në ruajtjen e miqësisë me SHBA-të.

Për LDK-në, ruajtja e miqësisë së përhershme me SHBA-të është esenciale dhe jetike për rrugëtimin e sigurt të shtetit të Kosovës drejt strukturave euro-atlantike. Rrugë tjetër nuk ka.