Pas dorëheqjes së Aida Dërgutit nga pozitat drejtuese në LVV, para dy ditësh postet drejtuese në këtë parti i ka lëshuar edhe kryetari i gjertanishëm Visar Ymeri (në shenjë mospajtimi me zhvillimet e fundit).
Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se përplasjet e fundit brenda kësaj partie, veçmas dorëheqja e Ymerit, kanë dëshmuar qartë që brenda LVV-së ka dy grupe politike.
E një gjë e tillë, sipas tyre, mund të çojë edhe drejt ndarjes përfundimtare të lëvizjes “Vetëvendosje”.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e këtij subjekti janë shprehur optimistë se do të arrijnë t’i zgjidhin problemet e brendshme, sado që nuk janë pajtuar me rrugën që ka ndjekur Visar Ymeri.
Për të diskutuar më gjerësisht për ndodhitë e fundit “Vetëvendosja” do të mblidhet gjatë ditës së sotme.
“Tersi” brenda LVV-së kishte nisur më 8 dhjetor të vitit të shkuar kur në publik kishin dalë disa biseda private mes deputetëve, në të cilat ishte ofenduar ish-lideri Albin Kurti (i cili tashmë ka shpallur kandidaturën për ta rimarrë postin e të parit të partisë).