Serbët pretendojnë se shqiptarët po tentojnë me dhunë ta marrin Ujmanin

Serbët pretendojnë se shqiptarët po tentojnë me dhunë ta marrin Ujmanin

Marko Vuloviq, që nga mediet serbe prezantohet si drejtor i Ujmanit, është shprehur se nuk e përjashton mundësinë që shqiptarët të marrin liqenin me forcë, por gjithashtu ka paralajmëruar se kjo do të kishte një efekt të paimagjinueshëm.

“Ne nuk mendojmë se është e pamundur të Ujmani të merret me dhunë, por kjo do të kishte pasoja të paimagjinueshme nga të dyja palët. Nuk jemi të sigurtë se shqiptarët nuk mendojnë për një skenar të tillë”, tha Vuloviq, duke diskutuar mbi Ligjin për Statutin e Trepçës.

Ai shtoi se menaxhimi i Ujmanit është në kontakt të përditshëm me Serbinë për të marrë vendime parandaluese për ta ndalur një ide të tillë.

“Natyrisht, jemi gati për skenarin më të keq, edhe pse shpresoj sinqerisht se kjo nuk do të ndodhë dhe se do ta zgjidhnim normalisht, përmes negociatave”, tha Vuloviq.

Duke komentuar deklaratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që është shprehur se liqeni i Ujmanit është burim i shtetit të Kosovës, Vuloviq tha se pronësia e Serbisë në Ujman është e padiskutueshme duke thënë se ky resurs është ndërtuar dhe financuar nga Serbia, transmeton lajmi.net

Ai gjithashtu ka shtuar se Serbia ka paguar një kredi të madhe për Ujmanin tek Banka Botërore.

Vuloviq është shprehur se situata tek liqeni i Ujmanit është e qetë, por duhet të analizohet situata e sigurisë e cila sipas tij është e kushtëzuar nga politika.

Sipas tij, të ashtuquajturit drejtor i Ujmanit, klima politike është ngarkuar e ngarkuar me tarifën 100 për qind për mallrat serbe, gjithashtu krijimi i ushtrisë sipas tij ka krijuar tensione politike.

“Nëse është kështu, nuk mund të flasim për sigurinë e Ujmanit, por ne patjetër po analizojmë situatën në mënyrë që të marrim vendime në kohën e duhur për mbrojtjen e këtij sistemi, i cili është jetik për zhvillimin dhe mbijetesën tonë”, tha Vuloviq.