Fillon seanca e Kuvendit të Serbisë, opozita bojkoton punën e parlamentit

Fillon seanca e Kuvendit të Serbisë, opozita bojkoton punën e parlamentit

Deputetët e tubuar rreth partive të cilat janë pjesë e Lidhjes për Serbi (LpS), për momentin blloku më i fortë opozitar, kanë filluar bojkotimin e punës së parlamentit.

Në rend dite të seancës së njëmbëdhjetë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Serbisë janë ndryshime dhe plotësime të disa ligjeve ekzistuese si dhe disa ligje të reja të fushave të ndryshme.

Shefat e grupeve të deputetëve opozitarë kanë paralajmëruar se për rendin e ditës së seancës së sotme do të flasin çdo gjysmë ore në korridorin e parlamentit të Serbisë.

Ata kanë porositur se bojkotimi është obligimi i tyre ndaj qytetarëve të cilët protestojnë nëpër gjithë Serbinë dhe se për një hap të tillë i obligon “Marrëveshja me Qytetarët”, të cilën e kanë nënshkruar.

“Ne, nënshkruesit e “Marrëveshjes me Qytetarët” jemi njerëz seriozë dhe një prej pikave të këtij dokumenti është braktisja e të gjitha institucioneve, dhe atë çfarë kemi nënshkruar ne tani po zbatojmë. Deputetët opozitarë do t’i braktisin edhe seancat e asambleve komunale. Ndërsa ne do të mbajmë çdo gjysmë ore konferenca në të cilat do të flasim mbi ligjet të cilat janë në rend dite. Le të dinë të gjithë se prej sodit në Serbi ekzistojnë dy parlamente – ai dhunues dhe uzurpues dhe ai demokratik i cili do të debatojë në korridor”, ka thënë një prej liderëve opozitarë Boshko Obradoviq.

“Në Serbi sot është kolaps i sistemit, nuk funksionon asnjë institucion, të gjitha institucionet janë kapur nga ana e një njeriu. Ligjet po miratohen “me kile”. Nuk do të lejojmë rrënimin e institucioneve”, ka thënë një lider tjetër i opozitës Miroslav Aleksiq.