• E mërkurë / Apr-23 15:22
  • Kontakt

VV në takim me të dërguarit e BE-së, shprehu shqetësimet për Gjykatën Speciale dhe demarkacionin

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar për takimin e mbrëmshëm mes zyrtarëve të saj me delegacionin franko-gjerman nga Bashkimi Evropian.

Sipas komunikatës së Vetëvendosjes në këtë takim është biseduar për zhvillimet politike në vend, me theks të veçantë, atë për Gjykatën Speciale dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Në këtë takim sipas komunikatës zyrtarët e Vetëvendosjes shprehen qëndrimet e tyre mbi padrejtësinë  Gjykatës dhe gabimet e mashtrimet e Thaçit për demarkacionin.

“Theks i veçantë në takim iu kushtua Gjykatës Speciale dhe çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. U përcollën qëndrimet e mirënjohura të Lëvizjes, mbi padrejtësinë e Gjykatës, mashtrimet e Presidentit Thaçi dhe gabimet e demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në komunikatë.

Njoftimi i plot i VV-së:

Dje pasdite, në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, deputeti i Kuvendit dhe kandidati për kryetar të Lëvizjes, Albin Kurti, i shoqëruar nga nënkryetarja e VETËVENDOSJE!-s, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, kryetari i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, deputetja e Kuvendit të Republikës, Fitore Pacolli, dhe drejtuesi i Komitetit profesional për politikat ekonomike dhe financiare, Prof. Besnik Bislimi, pritën në takim delegacionin franko-gjerman nga Bashkimi Evropian, të dërguarin e posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Dr. Christian Hellbach dhe shefin e Departamentit për Ballkan dhe Evropë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, z.Thomas Bertin, të shoqëruar nga ambasadori i Francës, Didier Chabert, dhe zëvendës-ambasadori i Gjermanisë, Jan-Axel Voss.

Në takim u diskutua për gjendjen aktuale politiko-institucionale dhe socio-ekonomike në Kosovë, për integrimet euro-atlantike, e për raportet midis vendeve të rajonit në Ballkanin perëndimor.

Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s theksuan që punësimi dhe drejtësia, përkatësisht zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, për të gjithë e në gjithë territorin, janë vendimtare për shtetndërtimin e domosdoshëm dhe progresin aq të nevojshëm në Kosovë.

Theks i veçantë në takim iu kushtua Gjykatës Speciale dhe çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. U përcollën qëndrimet e mirënjohura të Lëvizjes, mbi padrejtësinë e Gjykatës, mashtrimet e Presidentit Thaçi dhe gabimet e demarkacionit me Malin e Zi.

Të dy palët, shprehën interesimin për kontakte të vazhdueshme e takime të tjera në të ardhmen.