Serbët e Kosovës i frikësohen idesë për korrigjimin e kufijve

Serbët e Kosovës i frikësohen idesë për korrigjimin e kufijve

Ideja për korrigjimin e kufijve i ka frikësuar serbët që jetojnë në Kosovë, andaj është bërë thirrje që të hiqet dorë nga kjo ide, si dhe nga ana e Serbisë është kërkuar të njihet realiteti i Kosovës si shtet i pavarur me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për serbët në Kosovë është rekomanduar një dialog i Qeverisë së Kosovës me komunitetin serb.

Kështu u tha me rastin e publikimit të hulumtimi të Komitetit të Helsinkit, raport ky i cili flet për jetën dhe pritjet e serbëve në Kosovë.

Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut,  ka bërë thirrje që të hiqet dorë nga ideja për korrigjimin e kufijve, pasi që si e tillë ajo paraqet  rrezik për konflikt në Ballkan.

Ajo u shpreh se komuniteti serb në Kosovë jeton në kushte të vështira dhe se nuk kanë mbështetje nga Beogradi, por mungon mbështetja e duhur edhe nga Prishtina zyrtare.

Sipas saj, sfidë për serbët në Kosovë mbetet pranimi i identitetit kosovar, derisa theksoi  se ata janë ekonomikisht të varur nga Serbia.

Në bazë të këtij raporti del se edhe Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e komunitetit serb, andaj Biserko rekomandon që pala kosovare të fillojë një dialog me serbët e Kosovës për të përmirësuar jetën e tyre.

Problemet kryesore me të cilat përballen komuniteti serb në Kosovë janë gjendja e vështirë ekonomike dhe sociale, pamundësia për punësim sidomos të të rinjve të këtij komuniteti.

Biserko: Të hiqet dorë nga ideja për ndryshim të kufijve

“Të heqin dorë nga negociatat për ndryshim të kufijve, të pranohet realiteti i Kosovës dhe konform marrëveshjes së nënshkruar të fillohet në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si shtet i pavarur dhe kjo është mënyra e vetme që në rajon të pamundësohet një kanosje që po i kërcënohet dhe Serbisë, dhe të gjithë të tjerëve. Duhet t’i qasemi integrimit të komunitetit serb jo vetëm në atë aspektin politik, por edhe ekonomik dhe shoqëror në përmirësimin  e jetës dhe cilësisë së jetës shoqërore dhe liderët politik të realizojnë komunikimin e drejtpërdrejtë me komunitetin serb në rajonet e ndryshme.  Duhet të fillojë dialogu një komisioni i pajtimit mendoj që ka nisma e tilla nga Qeveria, që do të ishte në funksion të normalizimit në një nivel me Beogradin dhe në një nivel me komunitetin lokal. Mendoj se është me rëndësi që Prishtina përkatësisht bashkësia shqiptare ta zhvillojë dialogun me se rbët që jetojnë në Kosovë”, u shpreh Biserko.

Se ideja për korrigjimin e kufijve paraqet rrezik për të dyja shtetet, e tha edhe drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci,  i cili u shpreh se një ide e tillë shkatërron gjithë atë që është ndërtuar në këta 20 vjet në Kosovë.

Ai e ka përkrahur idenë që ekipi negociator t’i bëjë pjesë të dialogut me Serbinë edhe serbët e Kosovës.

Peci: Ekipi negociator të përfshijë në bisedime komunitetin serb

“Ekipi negociator i Kosovës duhet të kontaktojë dhe t’i përfshijë brenda bisedimeve të veta edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile nga komuniteti serb në Kosovë, dhe mendoj që me një hap të tillë do të kishte mundësi që të ndërtohet edhe besimi i mëtutjeshëm për të ndërtuar një Kosovë, të cilën ne e duam në të ardhmen, një Kosovë, e cila i përket të gjithë qytetarëve e Kosovës, dhe një Kosovë që është e krejt qytetarëve të barabartë, dhe e gëzojnë të njëjtën mbrojtje nga shteti dhe institucionet e Kosovës. Edhe mendoj që në këtë pikë duhet Qeveria jonë të mendojë seriozisht se si ta gjejë modusin e komunikimit me komunitetin serb gjatë procesit të dialogut”, tha Peci.

Izabela Kisiq, drejtoreshë ekzekutive  e Këshillit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, u shpreh se në bazë të hulumtimeve të bëra, është vërejtur se ka rënie sa i takon integrimit të serbëve në Kosovë.

Sipas saj, propozimet për ndarjen e Kosovës te komuniteti serb ka krijuar paqartësi dhe pasiguri.

Kisiq: Ideja e ndarjes e Kosovës ka krijuar ndjenjë të frikës te serbët e Kosovës

“Këto rrëfimet për ndarje të Kosovës kanë tërhequr të themi prapa dhe tani ndjehet një frikë dhe paqartësi, dhe pasiguri në komunitetin serb dhe veçmas kisha vënë theksin në pozitën e të rinjve në komunitetin serb që shpesh ndjehen në të vërtetë mjaft të izoluar dhe kisha thënë që shpesh jetojnë në vendet e tyre pa kurrfarë mundësie për të shkuar në vende për të mëdha, sepse nuk ka as transport dhe e vetmja lidhje me botën për ta është interneti” , tha Kisiq.

Ndërsa, Ismajl Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se komuniteti serb në Kosovë gëzon të drejta të shumta, dhe se investimet për t’u kthyer ata në Kosovë kanë qenë të shumta. Sipas tij edhe sjellja e librave nga Serbia po ndikon të  krijohen përçarje në mes komuniteti serb dhe atij shqiptar në Kosovë.

Kurteshi tha se dialogu me serbët e Kosovës ka munguar sidomos tani kur edhe ata përfaqësohen nga Lista Serbe, e cila më shumë i përfaqësojnë kërkesat e Beogradit, sesa të komunitetit serb në vendin tonë.

Kurteshi: Të plotësohen nevojat e serbëve në Kosovë, e jo kërkesat e Serbisë

“Lista Serbe përfaqëson interesat e Vuçiqit, por assesi të serbëve, të cilët jetojnë në Kosovë, dhe kanë halle të përditshme, qoftë ekonomike, qoftë sociale dhe të tjera, dhe që absolutisht nuk përkojnë dhe nuk u intereson përfaqësuesve të serbëve, formalisht përfaqësuesve të serbëve...Është vërtetë e udhës që të fillojë dialogu në mes të Qeverisë së Kosovës, institucioneve tjera të Kosovës me serbët e Kosovës dhe të mundohet që t’iu ndihmojë në plotësimin e atyre kushteve që vërtet janë të nevojshme për një jetë normale, por assesi t’i plotësojë kushtet, të cilat janë kërkesa të Serbisë, e të cilat më tepër janë të interesuara për territoret siç edhe tani po ka përpjekje, sesa që janë të interesuar për jetën e qytetarëve serbë në Kosovë”, ka thënë Kurteshi.

Për krijimin e këtij raport janë intervistuar 40 respodentë  të komunitetit serb që jetojnë në enklavat e ndryshme në Kosovë,  dhe moshat kanë qenë të ndryshme.


Warning: Use of undefined constant php - assumed 'php' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /home/genstilc/domains/rtvaldi.com/public_html/footer.php on line 48