Papërgjegjësia e institucioneve në ndarjen e 500 mijë eurove për përvjetorin e pavarësisë

Qeveria e Kosovës ka ndarë hiç më pak se 500 mijë euro për festimin e 11 vjetorit të pavarësisë...

 Në lidhje me këtë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj sot nuk është paraqitur fare para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për të raportuar në lidhje me këtë shumë të parave.

Shuma prej 500 mijë euro e ndarë nga Qeveria e Kosovës për 11 vjetorin e pavarësisë është vetëm 100 mijë euro më e vogël sesa ajo e ndarë për 10 vjetorin e pavarësisë, ndërkaq viteve të mëhershme, kjo shumë nuk e kishte tejkaluar asnjëherë shifrën prej 100 mijë eurosh.

Lajmi.net ka kontaktuar me ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu për ta pyetur në lidhje me këtë çështje dhe ai është shprehur se kjo është dëshmi e një papërgjegjësie institucionale e individuale.

“Defenitivisht Kosovën e ka kapluar një anarki e cila karakterizohet me një papërgjegjësi qoftë individuale, qoftë institucionale”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu gjithashtu shtoi se: “nëse analizohen veprimet e qeverisë aktuale, krijohet një bindje se këta po e kuptojnë që Kosova është shtet në zhbërje dhe po dëshirojnë të shkatërrojnë çdo gjë.”

Ai është shprehur se dëshmi e papërgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës është edhe shuma prej 230 milionë më pak sesa vitin e kaluar.

“E shkatërrojnë nëpërmjet punësimit të pakontrolluar politik dhe militant, përmes shpenzimeve enorme të pakontrolluara dhe këtë e dëshmon ajo se këtë vit Kosova ka rreth 230 milionë euro më pak sesa vitin e kaluar”, u shpreh Gërxhaliu.

Gërxhaliu gjithashtu shtoi se ndarja e 500 mijë eurove është gjithashtu dëshmi e kësaj anarkie.

“Dëshmi e kësaj është dhënia e 500 mijë eurove për një festë të zbehtë, pa musafir, pa ndonjë vlerë spektakolare, por edhe kjo e dëshmon se ne në Kosovë nuk mban askush përgjegjësi për momentin”, përfundoi Gërxhaliu.

Për këtë kanë reaguar edhe deputetët Driton Selmanaj dhe Mërgim Lushtaku. Ky i fundit ka thënë se fondi i ndarë për festimin e 11 vjetorit të pavarësisë do të ishte më mirë që t’u ndahej familjeve në nevojë.