Vuçiq akuzon Haradinajn për protestat e dhunshme në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn për protestat e dhunshme në Beograd...

Pak orë pas sulmit në televizionin Shtetëror serb ku dhjetëra protestues hynë në ambientet e brendshme të ndërtesës, presidenti Aleksandar Vuçiq ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij se qëndrojnë pas protestave të dhunshme.

“Kur Haradinaj tha se do të më rrëzonte nga Qeveria, mendova se po bënte numra. Tani e shoh se ai ka bashkëpunëtorët e tij këtu, mes nesh. BoshVuçiq tha nga pallati presidencial se të gjithë ata që shkelin ligjin, do të përgjigjen përpara drejtësisë.

“Unë i bëj thirrje qytetarëve që mos të bëhen pjesë e dhunës, sepse të gjithë do të përgjigjen para ligjit. Të gjithë ata që morën pjesë në dhunën e natës së kaluar, do të mbajnë përgjegjësi. Serbia nuk e toleron një gjë të tillë. Të gjithë ata që mendojnë se me anë të dhunës, mund të arrijnë rezultate në politikë, gabohen”, theksoi ai.

E ndërsa presidenti serb mbante fjalimin e paralajmëruar, dhjetëra protestues ishin mbledhur para pallatit presidencial.

Ata kërkuan dorëheqjen e Vuçiq dhe hodhën parulla kundër tij.

Disa prej protestuesve shemben gardhet e hekurta të vendosura para presidencës.

Tubimet e opozitës në Serbi, u përshkallëzuan mbrëmjen e të shtunës kur dhjetëra persona mes tyre edhe udhëheqësit e Aleancës për Serbinë, hynë brenda Televizionit Shtetëror.

Ata u nxorën nga forcat e sigurisë vetëm pas dy orësh.

Media shtetërore serbe nuk i transmeton  protestat anti-qeveritare që mbahen në Beograd çdo të shtunë që nga 8 dhjetori I vitit të kaluar, e një gjë e tillë ka shkaktuar pakënaqësinë e opozitës dhe mbështetësve te saj.