Haradinaj takon Ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit, ja çfarë diskutuan

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, është takuar me Ndihmës Sekretaren për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit(INL)...

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, është takuar me Ndihmës Sekretaren për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit(INL) të SHBA-së, Kirsten Madison.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretaren për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit(INL) të SHBA-së, Kirsten Madison, e cila është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Kryeministrisë, Haradinaj e ka njoftuar Ndihmës sekretaren Madison për të arriturat e Qeverisë, për zhvillimin ekonomik të vendit, prioritetet në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, luftën kundër korrupsionit,  narkotikëve dhe delikuencës, riatdhesimin dhe tema tjera me rëndësi për vendin.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj falënderoi Ndihmës sekretaren Madison dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhënë Kosovës në të gjitha periudhat duke vlerësuar se ndihma e pakursyer e ShBA-së është e nevojshme edhe në këtë periudhë të shtetndërtimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

Kryeministri Haradinaj gjithashtu ka falënderuar Ndihmës sekretaren Madison për kontributin e SHBA-së në forcimin e mekanizmave të sigurisë në vend, veçmas në asistencën për policinë, Gjykatat dhe Prokurorinë, ndihmë kjo që ka rezultuar me ngritjen e kapaciteteve të vendit në këto institucione.

“Falë ndihmës tuaj, të dhënë në vazhdimësi, ne sot kemi institucione kredibile dhe të cilat kanë shënuar suksese në vend por edhe në partneritet me institucionet e huaja”, ka thënë Kryeministri Haradinaj, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së vendit, në progresin e vazhdueshëm në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe sigurisë.