Reagim nga mbledhja e Forumit të Gruas të PVD-së në Preshevë

Reagim nga mbledhja e Forumit të Gruas të PVD-së në Preshevë

Forumi i Gruas i Partisë Për Veprim Demokratik (PVD) dënon keqpërdorimin e kamerave të sigurisë nga ana e Drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, z.Driton Salihu, kundër kryetarës së Degës të PVD-së, znj.Ardita Sinani.

Publikimi i xhirimeve të kamerave të sigurisë nga drejtuesi i institucionit publik për qëllime politike jo vetëm shkelje flagrante e të drejtave të privatësisë, por edhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Për këtë rast, Partia Veprim Demokratik ka ngritur kallëzim penal në prokurorinë përgjegjëse ndaj drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit dhe ka kërkuar nga ministria e inspektoriati i shëndetësisë që të ndërmarrin urgjentisht masa kundër drejtorit në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ditën përkatëse, z.Ardita Sinani, si qytetare e komunës së Preshevës, kishte shoqëruar për kurim vjehrrën e saj në Shtëpinë e shëndetit.

Veprimi i drejtorit të Shtëpisë shëndetit, z.Driton Salihu, shpreh deri në ç’masë është katandisur dhe dehumanizuar rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve të kryetarit të komunës së Preshevës, z.Shqiprim Arifi.
Duke mos i zgjedhur mjetet, klani i kryetarit të komunës së Preshevës nuk kursen as gratë, nënat, vajzat dhe gjyshet. Për pushtet, ata po degradojnë skajmërisht cdo vlerë të kësaj shoqërie dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore.

Forumi i Gruasi PVD shpreh keqardhje që kryetari i komunës së Preshevës z.Shqiprim Arifi, jo vetëm që nuk e dënoi së paku rastin, por edhe e mbështeti drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit, që i shërben edhe si propagandues politik, nëpërmjet portalit të tij privat me paratë e taksapaguesve të të gjithë qytetarëve të komunës së Preshevës. Partia për Veprim Demokratik ka inicuar tashmë procedurë ligjore edhe për këtë konflikt të interesit.

Shprehim poashtu zhgënjimin tonë me heshtjen e kryetarit të kuvendit, z.Sami Salihu, që po dëshmon jo vetëm mungesë të guximit politik, por edhe se përzgjedh pushtetin kundrejt një veprimi të tillë skandaloz dhe në shpërputhje me çdo vlerë njerëzore.

Forumi i Gruas i Partisë për Veprim Demokratik falenderon të gjithë qytetarët që kanë dënuar aktin e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit dhe që janë solidarizuar me znj.Ardita Sinani. Falenderojmë edhe anëtarët e simpatizuesit e Alternativës për Ndryshim të cilët në komunikim privat janë solidarizuar me znj.Sinani. I ftojmë ata, e sidomos gratë e Alternativës për Ndryshim, por edhe të Lëvizjes për Reforma – PDSH, që ta dënojnë veprimin e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit. Kjo praktikë dhe kjo mendësi e rrezikshme politike nuk duhet të lejohet as nga ata.

Është çështje ekzistenciale për Preshevën që t’i luftojë këto politika. Këto janë veprime kundër demokracisë dhe kundër lirisë individuale dhe kolektive, kundër moralit njerëzorë!

Përndryshe, ajo që i ndodhi të hënën znj. Ardita Sinani, mund t’i ndodhë nesër cilitdo qytetar, anëtari të çfarëdo partisë, edhe Alterantivës për Ndryshim dhe Lëvizjes për Reforma.

Dorëheqja, përkatësisht shkarkimi i drejtorit të Shtëpisë së shëndetit, është sot ndërgjegja jonë kolektive.

Presheva nuk meriton këtë kulturë dhe mendësi politike.

Kjo nuk është Presheva!