Kurti, një vit pas ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi: Nga pyjet e 8.200 hektarëve u nxor vetëm një karrige kryeministri

Kurti, një vit pas ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi: Nga pyjet e 8.200 hektarëve u nxor vetëm një karrige kryeministri

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka kujtuar se sot bëhen një vit që nga ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë drejtim, siç ka shkruar Kurti, “për ironi, mu në ditën ndërkombëtare të pyjeve, më 21 mars, iu dhanë 8.200 hektarë Malit të Zi”.

Dhe siç ka vënë në pah ai, “një vit më vonë as që është formuar Trupi i Përbashkët Punues për të cilin thuhej se do ta kthejë kufirin në Çakor e Zhlep e me Bjelluhën brenda Kosovës”.

“Nuk është turp nëse deputetët thonë se janë mashtruar. Turpi i përket mashtruesit. Mirëpo, nëse cilido pas mashtrimit, për shkak të egos, nuk pranon se ka qenë i mashtruar, atëherë bëhet bashkëfajtor”, ka shkruar ndër tjerash Kurti.

Postimi i plotë:

8.200 hektarë për një karrige

Sot u bënë një vit prej kur u ratifikua demarkacioni “Meha” në Kuvend, ndërkaq nesër bëhen 400 ditë të marrëveshjes ‘korrigjuese’ Thaçi-Vujanoviq. Për ironi, mu në ditën ndërkombëtare të pyjeve, më 21 mars, iu dhanë 8.200 hektarë Malit të Zi.

80 vota kurrsesi nuk do t’i bënin atë ditë pa këtë mashtrimin me korrigjim kufiri. Marrëveshja e Podgoricës e pranonte gabimin por mashtronte se do ta korrigjonte atë. Një vit më vonë as që është formuar Trupi i Përbashkët Punues për të cilin thuhej se do ta kthejë kufirin në Çakor e Zhlep e me Bjelluhën brenda Kosovës.

Nuk është turp nëse deputetët thonë se janë mashtruar. Turpi i përket mashtruesit. Mirëpo, nëse cilido pas mashtrimit, për shkak të egos, nuk pranon se ka qenë i mashtruar, atëherë bëhet bashkëfajtor.

Ratifikimi ishte zdrukthtari e jo demokraci. Nga pyjet e atyre 8.200 hektarëve u nxor sall një karrige kryeministri.