Buhiqi i Preshevës pa ujë të pijshëm, nxënësit presin transport nga komuna

Buhiqi i Preshevës pa ujë të pijshëm, nxënësit presin transport nga komuna

Në Perëndim të Preshevës, përskaj magjistrales Preshevë-Gjilan, gjendet fshati i parë i Karadakut, Buhiqi i cili ka 21 shtëpi dhe 130 banorë.

Dikur në këtë fshat kishte më shumë banorë, por ishte lufta ajo që i detyroi banorët e këtushëm që për të shpëtuar kokën të braktisin vendlindjen, shtëpitë e së cilës forcat serbe i dogjën tërësisht.

Pas luftës, disa banorë u kthyen në Buhiq, organizatat ndërkombëtare ndërtuan disa shtëpi, por kushtet jo të mira infrastrukturore, papunësia dhe mungesa e perspektivës ka detyruar edhe ata pak banorë që u kthyen të marrin rrugën e mërgimit.

Bujqësia, blegtoria dhe shitja e drunjëve është baza e angazhimit të këtij fshati, por edhe këto bëhen me shumë vështirësi, ndërsa banorët e këtushëm ankohen për mos interesim të pushtetit lokal, thotë Sali Hafizi baorë i këtij vendbanimi.

Sipas tij mungesa e ujit të pijshëm është një ndër problemet me të cilin po ballafaqohet ky fsha dhe se në vitet e nëntëdhjeta e kishin rregulluar ujësjellësin me vetëfinancim, por ushtria serbe e kishte shkatërruar atë gjatë luftës.

“Fshati i ndodhur afër magjistrales që lidh Luginën me Kosovën, shpesh herë ka qenë në shënjestër të forcave serbe të sigurisë, tani që në hyrje të fshatit ndodhet mini stacioni i policisë serbe, këtu edhe kontrollet janë të shpeshta, madje druvarët e kanë shumë të vështirë kalimin nëpër këtë pikë”, është shprehur Hafizi për rtk.

Ndërsa blegtoria e bujqësia kanë mundësi të zhvillimit në këto hapësira, megjithatë pa mjete dhe pa subvencione të pushtetit lokal kjo është e pamundur. 

Banorët e Buhiqit, jetojnë nga prerja , bartja dhe shitja e drunjve, punë kjo mjaftë e rëndë por edhe me një varg problemesh nga zyrtarët e pylltarisë dhe ata të policisë, ka thënë mes tjerash Qamil Beqiri nga Buhiqi.

Presheva është larg  më se gjashtë kilometra, largësia paraqet problem sidomos për nxënësit e shkollave të mesme, për të cilët nuk ka transport të siguruar nga autoritetet e pushtetit lokal.

Qamil Beqiri i ndodhur jo larg komunës së Preshevës, me pak investime fshati Buhiq do të mund të ishte një para lagje e bukur e qytetit e ndodhur në vargmalet e Karadakut, thonë banorët./Baki Rexhepi-Rtk