Kur do të kthehen në Kosovë 30 luftëtarët e rrezikshëm të ISIS-it?

Kur do të kthehen në Kosovë 30 luftëtarët e rrezikshëm të ISIS-it?

Vala e parë e të kthyerve nga Siria në Kosovë la prapa edhe një numër të kosovarëve në zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme. Raportohet se momentalisht janë edhe 30 luftëtarë, 49 gra e 8 fëmijë që do të mbesin në Siri deri kur shteti të mundë t’i kthejë. Gazeta Express nga burime të mirinformuara në organet e sigurisë, mëson se ata që kanë mbetur në Lindjen e Mesme janë në disa zona ku situata është më e rrezikshme. Shteti ka kontakte me disa prej tyre.

87 kosovarë po vazhdojnë të qëndrojnë në zonën e luftës në Lindjen e Mesme.

Organet e sigurisë në Kosovë nuk arritën që edhe ata t’i sillnin me valën e parë të të kthyerve, megjithatë një gjë e tillë është në planet e tyre.

Por, këtë herë nëse do të kthehen, në Kosovë do t’i kemi edhe 30 luftëtarë të organizatës ISIS, 49 gra e 8 fëmijë.

Gazeta Express nga burime mirë të informuara në organet e sigurisë ka mësuar se momentalisht nuk ka ndonjë plan konkret për kthim, për arsye se personat me të cilët Kosova po vazhdon të qëndrojë në kontakt, janë në zona të rrezikshme e rrjedhimisht sjellja e tyre është më e vështirë.

“Ende nuk ka ndonjë plan për arsye se ata gjenden në zona më të vështira e rrjedhimisht do të jetë më problematike sjellja e tyre në Kosovë”, thotë ky burim.

Tutje, Express mëson se të kthyerit e valës së parë paraprakisht kishin komunikuar me Kosovën. Këta kishin qëndruar në një kamp të monitoruar nga kurdët, e disa të tjerë ishin afër tyre. Të gjithë këta, 110 persona, që kishin ditur për operacionin ishin bashkuar për t’u sjellë ashtu në Kosovë.

“Këta që janë sjellë deri më tani kanë qenë në një kamp të monitoruar nga kurdët, disa ishin në kampin e njëjtë, e të tjerët ishin afër tyre, janë bashkuar e bashkërisht i kemi sjellë”, thotë tutje.

Mirëpo, për ata që kanë mbetur atje ende nuk kanë ndonjë plan apo datë konkrete se kur do të kthehet vala e dytë nga Siria.

“Nuk kemi diçka konkrete momentalisht”, ndërkaq, fillimisht sipas planit, parashikohet mbyllja e procedurave të parapara me ata të cilët veçse janë kthyer në vend.

Një nga gratë e kthyera tashmë nga Siria ka bërë të ditur për Gazetën Express se burri i saj është në zonën e luftës, derisa vazhdimisht po mban kontakte me organet në Kosovë e thotë se së shpejti pritet edhe kthimi i tij.

Nga 110 kosovarët që janë kthyer disa ditë më parë nga Siria, katër prej tyre kishin luftuar krah organizatës terroriste ISIS, e tashmë këta të fundit po përballen me drejtësinë vendore.

Ndërkaq, 30 të tjerë, që sipas organeve të rendit janë persona me rrezik të lartë pritet të kthehen me valën e dytë.

Të premten në Kosovë u kthyen nga Siria, përmes aeroportit të Prishtinës 110 persona, katër luftëtarë, 32 gra, 74 fëmijë, 9 prej tyre ishin pa prindër.

Qqë nga viti 2012 një numër i madh i kosovarëve shkoi në zona të luftës duke iu bashkuar ISIS-it famëkeq. Disa prej tyre në Lindjen e Mesme patën edhe pozita të larta udhëheqëse.

Shumë prej tyre janë vrarë, derisa numri mendohet të jetë më shumë se 300 persona.