Shtypi serb kthehet në veri të Kosovës pas pesë muajsh

Shtypi serb kthehet në veri të Kosovës pas pesë muajsh

Gazetat serbe janë rikthyer sot nëpër kisokat e dyqaneve në veri të Republikës së Kosovës pas plotë pesë muajsh.

Kjo pasi që Kosova kishte vendosur një taksë prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Siç shkruajnë mediat serbe që nga e hëna e javës që po vjen, gazetat serbe do të shpërndahen edhe nëpër të gjitha pjesët tjera të Kosovës ku jetojnë serbët.

Kjo pasi që kompanitë mediale kanë vendosur që të ulin çmimin e gazetave, në mënyrë që ta kenë të mundur pagesën e taksës prej 100 %

“Të gjithë botuesit, janë marrë vesh për uljen e çmimit, me qëllim të kompensimit të pjesës tjetër të taksës. Çmimet e tyre do të jenë të njëjta sikurse në Serbi’, thuhet nga kompania e cila merret me shpërndarjen e tyre.

Qeveria Haradinaj ka vendosur taksën si përgjigje kundër veprimeve të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, dhe refuzon që ta heq një vendim të tillë edhe përkundër gjithë presioneve.

Në anën tjetër, Serbia kushtëzon kthimin në dialog, me heqjen e taksës.