Thaçi mes tjerash ka folur edhe për taksën 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
Pas takimit të Berlinit Presidentit e ka zbutur qëndrimin karashi këtij vendimi, ai tani thotë se taksa do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Madje Thaçi thotë së një gjë të tillë e ka thënë edhe në takimin me liderët e Ballkanit.
“Situatë e pashpresë në raport me një normalizim të shpejtë e konkretë të raporteve ndërshtetërore Kosovë-Serbi Së pari Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqje të taksës, ky është veprim i papranueshëm”, deklaroi presidenti në një konferencë për media.
Më pas ai ka theksuar se taksa do të mbetet në fuqi, e këtë shton se e ka bërë të ditur edhe në Samitin e Berlinit.
“E theksoj edhe një herë siç kam theksuar shumë qartë në samit, vendosja e taksës ka qenë i domosdoshëm dhe legjitim, si reagim ndaj shkeljeve nga ana e Serbisë dhe si i tillë mbetet në fuqi”, shton presidenti.
Thaçi deklaroi se në vazhdimësi janë kundërshtuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje të përbashkët, teksa shton se faktori ndërkombëtar ka ndihmuar Kosovën pak, që t’i shkohet në fund bisedimeve Kosovë Serbi e të mund të gjendet një zgjidhje.
“Përpjekjet tona të përbashkëta për të arritur një marrëveshje janë cenuar dhe kundërshtuar në vazhdimësi. Në anën tjetër, kam theksuar shumë qartë dhe nënvizoj se faktori ndërkombëtar shtetet nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje në përpjekjet tona që do të përfundonte me njohje reciproke”, shtoi Thaçi.
Gjatë kësaj konference, Thaçi ka thënë se 20 vite pas luftës ende askush nga Serbia nuk ka dalë para drejtësisë për krimet e luftës të kryera në Kosovë.
“Pas krimeve, spastrimit etnik dhe veprimeve gjenocidiale në Kosovë, ende askush nga Serbia nuk doli para drejtësisë. Iniciativa e Vasfije Krasniqit për të treguar rrëfimin tragjik, tregon se asnjë krim i serbëve nuk bën të heshtët sado i rëndë të jetë. Pa kongresmenin Eliot engel, rrëfimi i Vasijes do të ishte i pamundur. E falënderoj Engel për këtë mundësi që krijoi në Kongresin Amerikan”, ka thënë Thaçi.
Presidenti ka kërkuar që Kuvendi të nxjerrë rezolutën për krimet e kryera të Serbisë në Kosovë.
Sa i përket Samitit të Berlinit, Thaçi ka thënë se ka qenë i ndarë në dy pjesë.
“Takimi i Berlinit ka qenë i ndarë në dy pjesë, në pjesën e parë është diskutuar për raportet në Ballkanin Perëndimor, ka qenë inkurajuese angazhimi Merkelit, Macronit dhe Mogherinit që të lëviz në procesin e Bashkimit Evropian pasi Ballkani Perëndimor është tërësisht i bllokuar”.
Tutje, ai ka thënë se e ka theksuar shumë qartë se perspektiva evropiane për Kosovën ende mbetet një frazë e mirë pasi nuk ka asgjë konkrete nga BE.
“Përkundër faktit se shpallja e pavarësisë së Kosovës i ka dhënë fund Jugosllavisë, paqja në rajonin tonë ende mbetet e brishtë. Prandaj jostabiliteti aktual në marrëdhëniet e Kosovës mes shteteve fqinje është rezultat i mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, ka deklaruar Thaçi.
Sipas Thaçit, Serbia po vazhdon të cenojë Kosovën, dhe marrëdhëniet me këtë vend vazhdimisht po acarohen.
“Dialogu i filluar në vitin 2011 tani është i bllokuar nga Serbia e cila e ka kushtëzuar vazhdimin e tij. Kushtëzimi i dialogut nuk duhet të ndodhë në asnjë rrethanë, ky ka qenë parim që nga fillimi i këtij procesi”.