Pacolli: Mentaliteti i Millosheviqit ende prezent në Beograd

Pacolli: Mentaliteti i Millosheviqit ende prezent në Beograd

Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli që njëherit është edhe zëvendëskryeministër i vendit ka reaguar për paradën ushtarake serbe e cila është mbajtur sot në Nish.

Pacolli ka thënë se veprimi i Serbisë tregon se mentaliteti i Millosheviqit është ende i gjallë në Beograd.

Ai gjithashtu është shprehur se me parade ushtarake mesazhi i vetëm që i dërgohet botës është se Serbia mbetet kërcënim për stabilitetin në rajon.

“Serbia duhet të sillet si një vend i civilizuar dhe të përqendrohet në bashkëpunimin rajonal dhe në evropianizimin e saj.  Me parada ushtarake mesazhi i vetëm që i dërgon botës është se Serbia mbetet një kërcënim për stabilitetin rajonal dhe mentaliteti i Millosheviçit është ende i gjallë në Beograd. Ne kërkojmë reagim ndërkombëtar kundër kësaj sjelljeje të Serbisë, një ditë pas Ditës së Evropës”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Në lidhje me këtë parade ushtarake ka reaguar edhe ambasada e SHBA-ve në Beograd duke e quajtur veprim të turpshëm udhëheqjen e kësaj parade nga i dënuari për krime të luftës Vladimir Lazareviq.

Sot në orën 11:00 është mbajtur një demonstrimi i forcës së pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe nën emërtimin “Mbrojtja e lirisë”, në Nish me pjesëmarrje të më shumë se 4.000 pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe me praninë e udhëheqësve shtetëror dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Vlen të theksohet se gjatë kësaj parade janë shfaqur armë të Rusisë si helikopterët MI-35 dhe tanket T-72.