Albin Kurti sheh shpëtimin e Telekomit duke larguar PANhajninë nga pushteti

Albin Kurti sheh shpëtimin e Telekomit duke larguar PANhajninë nga pushteti

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti zgjidhjen e shpëtimit të Telekomit e sheh vetëm me largimin e PANhajnisë nga pushteti.

Kurti ka marrë shembuj të pulës me vezë dhe tavolinës suedeze për të treguar se si ka ardhur buzë familmentimit Telekomi.

Kurti thotë se kompanitë e telekomit nuk falimentojnë askund. Sipas tij kjo ndodh vetëm nëse synohet falimentimi.

“Telekomi i Kosovës është si një pulë që sjell vezë të arta. Kur e panë pushtetarët që nuk po ndalet pula edhe atëherë kur ia vidhnin vezët, ia ndërprenë ushqimin duke ia ndaluar investimet. E kur as kjo nuk e ndali, atëherë ia sulmuan trupin së jashtmi me një Z pulë virtuele, ia sulmuan organet së brendshmi me kontrata e punësim parazitor, si dhe e zhvlerësuan duke e nxjerrë në shitje. Pula mbeti gjallë e regjimi s’po u besonte syve të vet. Andaj, pula virtuele e hodhi në gjyq pulën reale dhe e dënuan atë! Pra, duan ta mbysin pulën, t’ia hanë mishin, dhe ta shpallin pulën virtuele pulë reale:, shkruan Kurti në Facebook, transmeton Gazeta Express.

Thekson se sot, më 12 maj, janë mbushur 10 muaj prej kur Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për shpëtimin dhe mbrojtjen e Telekomit të Kosovës.

“Mirëpo, kjo qeveri i trajton rezolutat e Kuvendit si ushqime të ndryshme të një tavoline suedeze: merr çka i hahet për t’u majmur për vete”, vazhdon Kurti.

Paralajmëron se pushtetarët ndodhen në mandatin e fundit në pushtet.

“Edhe PANhajni në njërën anë, edhe ekonomi e demokraci në anën tjetër, Kosova nuk mund të ketë. Sot, krimineli po e padit viktimën dhe po e fiton gjyqin! Nesër, nuk do të jenë më këta, ndodhen në mandatin e tyre të fundit në pushtet. Por, sa më i afërt fundi për këtë qeveri dhe sa më e shkurtër jeta e saj, aq më larg fundit shteti ynë dhe më e gjatë jeta e tij”, thotë ai.

Ndryshe, telekomi ka fituar kohë deri më 15 qershor për t’ia paguar Z-Mobile-it 26 milionë euro.

Ky borxh ndaj Z-Mobile ka ardhur për shkak të mos zabitmit të një marrëveshjeje mes dy kompanive. Pastaj gjykata e Arbitrazhit ka vendosur në favor të Z-Mobile.

Është paralajmëruar se në rast se paguhet ky borxh, pa punë do të mbesin rreth 3 mijë punëtor të Telekomit të Kosovës.