Iraku dënon me vdekje tre francezë të ISIS-it

Iraku dënon me vdekje tre francezë të ISIS-it

Tre qytetarë të Francës janë dënuar me vdekje nga një gjykatë irakiane pasi u shpallën fajtor për pjesëmarrje në grupin militant të Shtetit Islamik. Kevin Gonot, Leonard Lopez dhe Salim Machou i kanë 30 ditë afat për të bërë ankesë kundër këtij vendimi.

Burrat e dënuar ishin në mesin e 12 qytetarëve francezë që u zunë në Siri nga luftëtarët e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Në shkurt ata u dërguan në Irak për t’u gjykuar. Këta janë qytetarët e parë francezë që dënohen me vdekje për shkak të pjesëmarrjes në grupin e Shtetit Islamik.

Autoritetet franceze ende nuk kanë reaguar për këtë vendim të Irakut, por presidenti Macron kishte thënë në muajin shkurt se nuk e komenton këtë çështje pasi ajo është punë e brendshme e Irakut.

Grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar ashpër gjykimin e luftëtarëve të dyshuar të ISIS-it në Irak. Aktivistët e këtyre grupeve thonë se gjykatat irakiane shpesh i mbështesin vendimet e tyre për dënime në dëshmi rrethanore ose rrëfime të bëra nën presion dhe kërcënime.

Besohet se rreth një mijë persona janë burgosur nga Forcat Demokratike Siriane, ndërsa Iraku është treguar i gatshëm t’i gjykojë të gjithë të dyshuarit. Deri tash, qindra të burgosur janë transferuar në Irak, por asnjë nuk është ekzekutuar, shkruan “BBC”.