Thaçi: Policia ka ndërmarrë aksione në komuna të ndryshme të Kosovës

Thaçi: Policia ka ndërmarrë aksione në komuna të ndryshme të Kosovës

Aksioni policor i cili është shtrirë në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj e Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme. Për këtë sot ka folur edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi

Thaçi tha se ky aksion është një ndërmarrje e institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj, për të luftuar të keqen dhe fenomenet negative.

“Është Aksion i ndërmarrë në një territor të gjerë ku ka të arrestuar edhe zyrtarë edhe qytetarë në komuna të ndryshme të Kosovës të nacionaliteteve të ndryshme  serbë boshnjakë, një rus i kamufluar në petkun e diplomatit për të penguar zyrtarët policorë në aksionin e tyre. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie, posaçërisht serbët në veri që ta marrin këtë çështje si  ndërmarrje krejt normale për rend dhe ligj, nuk është I drejtuar kundër asnjë komuniteti”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq ai është pyetur nga gazetarët se çfarë mendimi ka për deklaratat e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq., i cili tha se nëse është nevoja janë të gatshëm për të ndërhyrë në Kosovë.

“Është deklaratë populiste, që kryesisht ka parasysh opinionin e brendshëm në Serbi, Vuçiq e di shumë mirë se s’mund të lëvizë në drejtim të Kosovës,  diçka që është e paimagjinueshme dhe e pamundur e edhe ai është i bindur, por në çdo rast institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe FSK’në,  janë në gjendje gatishmërie”, ka thënë Thaçi.

Ai i quajti këto deklarime të Vuçiqit si një formë për të fituar simpati brenda Serbisë, pasi sipas Thaçit edhe Serbia duhet të bashkëpunojë kur është fjala [për të luftuar persona të involvuar në krim.

“Deklarimet populiste s’janë kërcënime për luftë, janë më shumë për të fituar një simpati Brenda opinionit publik në Serbi, askush s’ka nevojë t’i mbrojë personat që kanë shkelur ligjin, përkundrazi kërkojmë edhe nga Serbia që të bashkëpunojë, Beogradi s’duhet të jetë adresë e mbrojtjes se personave të involvuar në krim çfarëdo nacionaliteti qofshin ata”, tha Thaçi.

Ndërkaq për deklaratat e Vuçiq, i cili ka thënë se Thaçit nuk do të ja mbërrijë kurrë ymri ta vendosë kufirin në Kopaunik me Shqipërinë, Thaçi tha se Serbia ka thënë njëjtë edhe për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.

“Kufiri i Kosovës është në pikat 1 dhe 31 edhe përgjatë kufirit me Serbinë, është I njohur ndërkombëtarisht Serbia ka mendu që Kosovës s’ka me ja mbërri kurrë ymri me qenë kurrë të lirë e të pavarur, por ja që jemi të pavarur dhe s’kemi serbi në Kosovë, dhe s’do të ja mbërrijë kurrë ymri Serbisë të kthehet në Kosovë. Sa më tepër që po vonohet BE për liberalizim të vizave, po rritet angazhimi dhe vullneti i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, të respektohet vullneti i qytetarëve të të dyja vendeve që të ndodhë bashkimi kombëtar. Kosova e Shqipëria të jetojnë në një shtet të përbashkët nën ombrellën euroatlantike duke e përfshi edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocvin në territorin e Kosovës. Askush s’duhet ti frikësohet bashkimit kombëtar”, ka thënë Thaçi.