Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fillimin e mbledhjes së Qeverisë, ka folur për aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veri të territorit të Republikës së Kosovës, nga i cili mbetën të arrestuar dhjetëra persona.
Ai ka thënë se një aksion i tillë është bërë për të vendos rend, dhe për të luftuar krimin dhe korrupsionin.
“Për me vendos rend dhe ligj për ta luftuar krimin dhe korrupsionin. Krimi nuk është rrezik veç për Kosovën, por për të gjitha vendet. Ne aspirojmë për integrim në BE, dhe duhet bëjmë kujdes me qëndrimet tona”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se falënderon Policinë, dhe gjithë mekanizmat e përfshirë ne aksionin e sotëm në Veri.
“Unë më këtë rast e falënderoj Policinë, për punën, dhe të gjithë mekanizmat e kyçur”, ka shtuar ai.
Ndërkohë sa i përket zërave nga Beogradi se në aksion ishte e përfshirë edhe FSK-ja, Haradinaj njëjtë sikurse KFOR-i, ka demantuar diçka të tillë, duke thëën se në aksionin e sotëm nuk ishte e kyçur ushtria e Republikës së Kosovës.
“Ushtria nuk ka qenë e kyçur, se ska pse me u kyç qenë punë e saj. I kemi njoftuar edhe instancat ndërkombëtare të sigurisë, kanë qenë në dijeni, për të gjithë parametrat e këtij operacioni”, ka thënë Haradinaj.