Gjendja e gripit në komunën e Preshevës

Komuna e Preshevës për momentin nuk paraqet rrezik për ndonjë epidemi gripi por kjo nuk do të thotë që as në të ardhmen nuk do të ketë...

Nën ndikimin e faktorëve përcaktues të shëndetit siç është ulja e temperaturave organizmi i njeriut ekspozohet ndaj tyre duke devijuar nga funksionet normale dhe si pasojë sjell ndryshime të cilat bëhen të dukshme nëpërmjet simptomave dhe shenjave të cilat paraqiten. 

Pikërisht në këto periudha të ftohta rreziku më i shpeshtë është ai i gripit i cili është sëmundje infektive virusale e traktit të sipërm respirator, përhapet shumë shpejt duke u karakterizuar me kollë, temperaturë të lartë, teshtitje, dhimbje të muskujve, lodhje, dhe në disa raste më të rënda edhe me vjellje.

Dr. Desaret Murati shef i repartit të Praksës së Përgjithshme në shtëpinë e shëndetit në Preshevë në intervistën e dhënë për Rtv Aldi shpjegoi në mënyrë të qartë gjithçka që duhet të dihet për sëmundjen e gripit.

Komuna e Preshevës për momentin nuk po paraqet rrezik për ndonjë epidemi gripi por kjo nuk do të thotë që as në të ardhmen nuk do të ketë, dhe mënyra më e mirë është parandalimi nëpërmjet edukimit shëndetësor të popullatës.