Griezmann flijon shumë para për t’iu bashkuar Barcelonës

Antoine Griezmann vendosi ta braktisë Atletico Madridin dhe pagën e majme atje vetëm e vetëm për t’iu bashkuar Barcelonës me pagë më të ulët.

Sipas SoccerLink, sulmuesi francez do të kalojë në Barçë më 1 korrik, atëherë kur edhe çmimi në klauzolën e lirimit të tij bie nga 200 milionë euro në 150 sosh, transmeton Gazeta Express.

Griezmann do të bëjë flijim financiar për ta bërë këtë.

Sulmuesi i Atletico Madridit ka pagë aktuale vjetore 23 milionë euro, por ka pranuar të luajë për Barcelonën për pagë goxha më të ulët.

Griezmann do t’i fitojë 17 milionë euro në vit te kampioni spanjoll, por do të përfitojë nga bonuset nëse Barça e fiton Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Një ditë më parë, Griezmann njoftoi se e di ku do të luajë sezonin e ardhshëm, por nuk deshi ta bëjë publik emrin e klubit të tij të ri.