Dy persona dënohen me burgim për vrasje të rëndë

Dy persona dënohen me burgim për vrasje të rëndë

Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykimin dënues kundër të akuzuarve T. Zh. dhe N. Zh. për veprën penale, “Vrasja e rëndë” të kryer në bashkëkryerje nga neni 179 paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal të Kosovës (Kodi i vjetër në fuqi deri më datë 14 prill 2019).

Sipas njoftimit për media i pandehuri T. Zh. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tetëmbëdhjetë (18) vjet, ndërsa për të pandehurin N. Zh., gjykata e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtëmbëdhjetë (16) vjet në të cilin dënim do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 26 mars 2016.

“Të pandehurit janë obliguar që të paguajnë shpenzimet procedurale veç e veç në shumën prej dyqind (200) euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej treqind (300) euro si dhe shumën prej pesëdhjetë (50) euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit. Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të akuzuarve T. Zh. dhe N. Zh. gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike të akuzuarit në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin N.K.”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se të pandehurit akuzohen se në mars të vitit 2016 në magjistralen Prizren-Gjakovë, në afërsi të varrezave në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta tashmë të ndjerin N. K. nga Prizreni si shkak i disa mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishin të pandehurit dhe i ndjeri.

Sipas komunikatës, pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./