• E mërkurë / Jul-09 13:08
  • Kontakt

Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës ia heq Hashim Thaçit prej dore dialogun

Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës ia heq Hashim Thaçit prej dore dialogun

Presidenti Hashim Thaçi e ka sfiduar Gjykatën Kushtetuese duke i kërkuar shpjegime për kompetencat e tij të cilët donte t’i përdorte në dialogun me Serbinë për të arritur marrëveshjen vet. Gjykata Kushtetuese nuk i kishte dhënë përgjigje atij me një arsyetim se shefi i shteti s’kishte kthyer përgjigje në pyetjet e tyre duke e refuzuar krejtësisht trajtimin e shqetësimit të ngritur nga Thaçi. Por, përgjigja Thaçit për dialogun me Serbinë i erdhi dje kur Gjykata e shpalli antikushtetues ligjin dhe ekipin negociator. Gjykata ka bërë me dije se roli që Thaçi e pretendon në negociata i takon Qeverisë.

Presidenti Hashim Thaçi vitin e kaluar e kishte provuar fatin duke e pyetur Gjykatën Kushtetuese nëse konsiderohen të ratifikuara marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga Presidenti, pa i çuar fare në Kuvend dhe pa miratimin e deputetëve me 2/3 e votave.

Në këtë mënyrë shefi i shtetit po provonte t’ia ndreqte vetes terrenin për të arritur marrëveshje i vetëm me homologun e tij Aleksandar Vuçiq nëpërmjet shkëmbimit të territoreve që po kundërshtohet nga klasa politike.

Por, përgjigja rreth kësaj çështjeje pas disa muajsh respektivisht në mars të këtij viti nga Gjykata Kushtetuese kishte ardhur e frohtë. Gjykata e kishte deklaruar si të papranueshme kërkesën e Presidentin Thaçi për interpretim të nenit 18 rreth kompetencave të Kuvendit dhe të tij rreth marrëveshjeve ndërkombëtare. Presidenti dhe bashkëpunëtorët në konfrontimet politike kishin insistuar se ai ka kompetenca të plota për dialogun e madje edhe për të arritur marrëveshje me Serbinë.

Por, ditën e djeshme kur Gjykata e shpalli aktgjykimin e saj për Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, u kujdes që t’i sqarojë edhe disa gjëra.

Aty thuhet se Qeveria i ka kompetenca për zbatimin e politikës së brendshme dhe të jashtme. Në aktgjykim thuhet se kjo bëhet duke u këshilluar me Presidentin ndërsa pikërisht presidentit nuk i përshkruhet ndonjë kompetencë në këtë fushë.

“Gjykata konstatoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës është i obliguar ta mbikëqyrë politikën e jashtme në kuadër të kompetencave kushtetuese të parapara sipas paragrafit 12 të nenit 65 të Kushtetutës. Gjykata po ashtu theksoi se paragrafi 1, i nenit 93 të Kushtetutës i përcakton kompetencat e Qeverisë në “propozimin dhe zbatimin e politikës së brendshme dhe të jashtme të vendit”, si dhe paragrafët 1 dhe 9 të nenit 94, përcaktojnë se Kryeministri si i pari i Qeverisë “Përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë” si dhe “Këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit” thuhet në këtë aktgjykim.

Pikërisht nga kjo pjesë më i kënaquri ka mbetur deputeti Ilir Deda i cili tha ky paragraf dëshmon që Hashim Thaçi s’ka më asgjë në dorë rreth dialogut.

“Mbas gati dy viteve u sqarua se nuk mund të ketë më “dialog Presidentësh”. Sot përfundoi edhe roli i Hashim Thaçit në dialogun me Serbinë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin zhbëhet Delegacioni Shtetëror për dialog me Serbinë e sjell edhe një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm – e sqaron kush ka mandat të udhëheqë dialogun me Serbinë” ka shkruar Deda.

Pak a shumë vlerësim të ngjashëm ka bërë edhe deputetja e LDK’së Vjosa Osmani e cila megjithatë e ka kritikuar ashpër Ramush Haradinaj që kishte vendosur t’ia “linte në dorë” Presidentit dialogun.

Pra, në rast se ndodh ndonjë mrekulli që mund të zhbllokojë dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, presidenti Hashim Thaçi që deri më tani ka dialoguar në nivel presidentësh, nuk do të ketë rol vendimmarrës ashtu sic ka pretenduar.

Gazeta Express ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës e cila ende nuk ka pasur ndonjë reagim pasi gjykata shpalli antikushtetuese ligjin për dialogun dhe rrëzoi ekipin negociator që kryesohej nga Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti. Ata kanë thënë se nuk kanë ndonjë përgjigje për këtë.

Gazeta ka biseduar me KDI’në që para se të miratohej projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë,  kishin identifikuar të njëjtat çështje që janë adresuar edhe nga Kushtetuesja, por që deputetët megjithatë kishin votuar pro.

Jeta Krasniqi nga KDI po thotë se pas aktvendimit është saktësuar se dialogu kthehet aty ku ka qenë në të kaluarën, pra Qeverisë së Kosovës.

“Pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, është qartësuar se ekzekutivi i vendit në këtë rast Qeveria nëpërmes kryeministrit e përpilon politikën dhe e zbaton politikën e jashtme, në këshillim me presidentin me mbikëqyrjen e Kuvendit, pra dialogu rikthehet aty ku do të duhej të kishte qenë që nga fillimi pra në ekzekutivin e vendit, siç ka qenë edhe në të kaluarën. Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese është se ekzekutivi përpilon dhe zbaton politiken e jashtme, në këshillim me presidentin që do të thotë se presidenti ka rolin e tij dhe ekzekutivi ka rolin e tij dhe ekzekutivi i bie që ta udhëheq këtë proces. Këtë e kemi parë edhe në të kaluarën”, deklaroi Krasniqi.

Ajo ka komentuar edhe rolin e delegacionit shtetëror, derisa ka sqaruar se nuk kanë marrë informacione nga takimet që këta të njëjtit i kishin pasur në Bruksel.

“Çka kemi pa nga delegacioni është se nuk kanë arritur ta kompletojnë ekipin, kanë nxjerrë një platformë por jo edhe konsensusin prej 2/3’tave ka pas mungesë të transparencës, nuk kemi informacion për takimet e tyre, njëherë kanë thënë se janë formuar katër komisione, ne nuk e dimë a janë formuar, për çka janë formuar, nuk kemi informacione për punën e tyre pavarësisht faktit se ky delegacion ka shkuar dhe është takuar me zyrtarë të BE’së nuk kanë raportuar për këta gjashtë muaj në Kuvendin e Kosovës, tashmë është e paqartë edhe çka kanë bërë”, shtoi ajo.

Ndryshe, dje gjykata Kushtetuese ka vendosur për kërkesën e parashtruar nga 32 deputetë të Kuvendit të Kosovës, se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë, dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit, derisa saktëson kompetencat e qeverisë në propozimin dhe zbatimin e politikës së brendshme dhe të jashtme të vendi ku përcaktohet se Kryeministri si i pari i Qeverisë “Përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë” si dhe “Këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit”.