A do i rikthehet opozita protestave pas zgjedhjeve vendore?! Flasin aleatët

A do i rikthehet opozita protestave pas zgjedhjeve vendore?! Flasin aleatët

Zgjedhjet e një dite më parë nuk kanë ndryshuar asgjë në qëndrimin e opozitës përveçse kanë forcuar bindjen se zgjedhje të lira dhe të ndershme me Ramën kryeministër nuk mund të ketë.

Këtë opinion ndanë me median Fatmir Mediu i Partisë Republikane dhe Mesila Doda nga PDIU pas takimit që patën me kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Fatmir Mediu: Kemi pasur tashmë një qeverisje të korruptuar dhe një proces fars elektoral. Kjo vërtetohet më së miri me raportin e OSBE/ ODIHR-it sot, ku i tha se nuk është plotësuar asnjë lloj standardi dhe kjo është vërtetë e papranueshme pas 30 viteve demokraci, për një vend anëtar të NATO-s.

Mesila Doda: Zgjedhjet e kësaj radhe vërtetuan qëndrimin tonë të përhershëm, Edi Rama është recitivist në vjedhjen e zgjedhjeve.

Përkundër akuzave për manipulime, Mediu përjashtoi një kërkesë të mundshme nga opozita për hapje kutish.

Do kërkoni hapjen e kutive?
Fatmir Mediu: Çdo gjë që bëhet transparente dhe ka vlerë dhe i shërben procesit për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mendoj që është një proces që duhet bërë. Nuk më ka shkuar mendja tek hapja e kutive. Shqiptarët e dinë se çfarë ka ndodhur dhe mendoj se kjo është detyra e opozitës dhe forcave të opozitës për të parë realisht se çfarë ka ndodhur në mënyrë që ne të garantojmë elementë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Aksioni politik i opozitës duket se do të përqëndrohet te protestat.

Do rikthehen protestat?
Fatmir Mediu: Mendoj se çdo gjë që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe i shërben interesave të Shqipërisë duhet të zhvillohet si nga opozita dhe qytetarët.

Mesila Doda: Është një nga vendimet që do të merret në vijim. Protestat nuk kanë pushuar kurrë.