Shqipëria anulon pjesëmarrjen në samitin e SEECP në shenjë solidariteti me Kosovën

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit..

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje-Hercegovina.

Cakaj në një postim në Twitter tha se trajtimi nga organizatorët në drejtim të Kosovës është i papranueshëm.

Sipas tij trajtimi ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet.

Ministri në Detyrë Cakaj shkruan se nuk mund të ketë bashkëpunim pa trajtim të barabartë.

“Shqipëria e anulon paraqitjen në Samitin e SEECP në shenjë solidariteti me Kosvën. Tretmani nga organizatorët është i papranueshëm dhe është në kundërshtim që të krijoj një atmosferë besimi, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit. Nuk ka bashkëpunim pa tretman të barabartë. #TëBashkuarQëndrojmë”, ka shkruar Cakaj.

Një ditën më parë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim.

Si pasojë e kësaj Thaçi ka refuzuar që të marrë pjesë në takim.

Ai ka thënë se Kosova merr pjesë në forume të tilla vetëm kur trajtohet e barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse.

“Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të  Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”, ka thënë Thaçi.