Punëtori shqiptar i higjienës në Shkup kërcënohet me largim nga puna, drejtori arsyetohet

Gzim Reka ka dy vite që punon në “Higjienën komunale” Shkup.Ankohet për kushtet e këqija në punë, që po u sjellin edhe probleme shëndetësore.

“Problemi është se nuk kemi kamionë. Ato kamionë, nëse nuk janë Reno me ngritëse, atëherë ne i kapim me dorë. Për shkak të ujit të shumtë, të rëndesës së kantës, tani e mbajmë mesin me dorë” u shpreh punëtori në Higjenën Komunale, Gëzim Reka.

Për këto shqetësime Gzimi i është ankuar drejtorit, por thotë se e ka kërcënuar me largim nga puna.

“Reagimi i drejtorit ka qenë nëse do puno, nëse jo merre kontratën ik, se ka kush do të punojë në vendin tënd” tha Reka.

Kështu tha drejtori?

“Kështu tha drejtori. Dhe unë i thash se kjo nuk është kompania juaj, si ka mundësi. I thash se ju e kenë përzënë njeriun që 11 vite ka punuar këtu” theksoi punëtori Reka.

Reka thotë se edhe kolegët e tij ankohen, por kanë frikë të flasin në publik për problemet e tyre. Pas reagimeve të tij për kushtet e punës, Reka tani nuk e di nëse ende e ka vendin e punës.

“Kolegët me thanë mos se do të të nxjerrin nga puna. Ata edhe kanë frikë të flasin, se menjëherë të nxjerrin nga puna, mua vetëm se më nxorën, tani a jam i punësuar ose jo, unë nuk e di”, tha Reka para kamerës së TV21.

Po ti ke kontratë?

“Po kam kontratë por në këtë shtet nuk ka kontratë”, potencoi Gzim Reka, punëtor në Higjiena Komunale.

Drejtori i Higjienës Komunale Shkup Abdulsamed Shabani mohon që punëtorët e Higjienës punojnë në kushte të këqija. Ankesat e Rekës i quan raste individuale që nuk janë të kënaqura me punën.

Duke qenë se është ankuar për kushtet e punës, i keni thënë nëse të punohet mirë, nëse jo, ik se vjen të tjerë në vendin tënd?

“Nuk ka përgjigje të tilla nga ana ime. Për rastin konkret, personi në fjalë ka qenë tek unë, e kam angazhuar si punëtor sezonal në Higjienën Komunale, atë që kemi mundur ta bëjmë për të e kemi bërë, tani i kemi thënë që të vazhdojë me punën që është e përditshme e tyre, nuk është hera e parë që ballafaqohen punëtorët me këtë punë”, tha Abdulsamed Shabani, drejtor i “Higjienës Komunale” Shkup.

Sa i përket punësimeve Shabani thotë se ai nuk është përgjegjësi kryesor për të hapur konkurs. Nga rreth 1600 të punësuar, drejtori thotë se 150 janë punëtor sezonal për të cilët sjell vendim Qyteti i Shkupit. 200 të tjerë kanë kontratë përmes agjencisë për punësim të përkohshëm ndërsa pjesa e tjetër janë me vendim, shprehet Shabani duke mohuar zvarritjen e dhënies në vendimeve për punë ose largimin e të punësuarve pa arsye.