KKSH: Alarmues fakti i fshirjes së personave nga lista unike zgjedhore në Medvegjë

KKSH: Alarmues fakti i fshirjes së personave nga lista unike zgjedhore në Medvegjë

Sot në komunën e Medvegjës janë publikuar vendimet për fshirjen e personave nga lista unike zgjedhore e që kryesisht janë të përkatësisë shqiptare.

Këshilli Kombëtar Shqiptar reagon dhe kundërshton fshirjen e më se 100 personave nga lista unike zgjedhore dhe konsideron abuzim të drejtpërdrejtë me të drejtat civile të shqiptarëve në Medvegjë.

Ka shumë kohë që jemi dëshmitarë të pasivizimit të adresave qytetarëve shqiptarë ne Luginë të Preshevës, me një koncentrim më të lartë në komunën e Medvegjës.

Shifrat jozyrtare japin numra të frikshëm, që tanimë në kundërshtim me parimet demokratike e ligjore po i pasivizohet adresa e vendbanimit dhe si rrjedhojë e kësaj, të njëjtit po i humbin të drejtat e tyre civile.

Në çdo takim që kemi, në vazhdimësi kemi ngritur këtë çështje, duke paralajmëruar të gjitha institucionet ndërkombëtare. Si pasojë e këtij fenomeni, kohëve të fundit ka filluar që të njëjtët të fshihen nga listat zgjedhore unike jo vetëm në Medvegjë, duke iu mohuar e drejta themelore demokratike, të drejtën për të votuar.

Këshilli Kombëtar Shqiptar kundërshton të gjitha format anti-kushtetuese e anti-civilizuese që kanë për qëllim në mënyrë artificiale të ndryshojnë përbërjen etnike në Luginë të Preshevës. KKSH e dënon këtë rast të paprecedent dhe kërkon nga organet përgjegjëse të ndalojnë menjëherë shlyerjen e shqiptarëve nga regjistrat civil.

Këshilli Kombëtar Shqiptar do të ndërmarr hapat e nevojshëm ta ngrit këtë çështje në të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare si veprime të papranueshme.

Të njëjtën kohë do vazhdojmë të kërkojmë nga Qeveria e Serbisë të ndaloj këtë proces që me mënyra perfide po tenton të e deshqiptarizoj Luginën e Preshevës.

Bëjmë thirrje tek të gjithë ata që janë fshirë nga lista unike zgjedhore, të denoncojnë para organeve gjegjëse dhe kundërshtojnë si proces të papranueshëm.

Shërbimi për informim i KKSH