Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se ka dorëzuar te krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike, vendimin për dorëheqjen e tij nga posti i të parit të Qeverisë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj bëri të ditur se iu ka shkruar sot presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Kadri Veseli, kreut të VV-së, Albin Kurtit, kreut të LDK-së, Isa Mustafës, të parit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajt, Behgjet Pacollit të AKR-së e Shpend Ahmetit të PSD-së.
“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme, kam ftuar që të ndërmerren hapat e nevojshëm për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme nacionale, në mënyrë që e drejta për të zgjedhur t’i kthehet sovranit”, ka shkruar Haradinaj, duke shtuar se deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, do të vazhdoj kryerjen e detyrave kushtetuese si Kryeminister dhe Qeveri në dorëheqje.