Bllokadë në dialogun Kosovë-Serbi, zgjedhjet e parakohshme shtyjnë Samitin e Parisit

Kosova ka hyrë tashmë në fazën e para mbajtjes së zgjedhjeve.

Seanca e 22 gushtit e Kuvendit do të jetë e fundit e kësaj legjislature, pasi që në të njëjtën pritet edhe shpërndarja e parlamentit.

Pas kësaj, pritet edhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë.

E ky proces pritet ta vonojë edhe  dialogun me Serbinë. Rrjedhimisht Samiti i Parisit që planifikohej të mbahej në shtator, mund të shtyhet për një datë të pacaktuar.

Këtë e konfirmojnë edhe burime të lajmi.net brenda Qeverisë.

Të njëjtat thonë se aktualisht nuk ka lëvizje të dikujt nga shtetet e Evropës për mbajtjen e një takimi të tillë.

“Aktualisht nuk ka lëvizje. Me gjasë nuk do të ketë diçka konkrete në këto kohë”, thonë këto burime.

Zgjedhjet e parakohshme, me gjasë po shihen si shpëtimi i vetëm i daljes nga situata dhe bllokada që tashmë ka hyrë procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Njohësi i çështjeve politike, Avni Mazreku, për lajmi.net thotë se zgjedhjet do ta legjitimojnë përfaqësuesin e Kosovës në procesin e dialogut.

“Zgjedhjet e legjitimojnë ose do të duhej ta legjitimonin edhe përfaqësuesin e Kosovës. Përderisa ne jemi në një proces elektoral të gjitha partitë politike janë pajtuar se zgjedhjet janë i vetmi instrument për t’i krijuar organet e veta përfaqësuese demokratike”, thotë ai.

Mazreku e pranon se mbajtja e takimeve, siç do të ishte modeli i Samitit të Parisit, do të ketë vonesa deri sa Kosova t’i zgjedhë organet e reja qeverisës.

Sipas tij, edhe ashtu tani nuk është kohë e përshtatshme për Prishtinën të tentojë të bëj lëvizje të reja në këtë drejtim.

“Nuk mendoj që kjo fazë do të ishte e përshtatshme që Kosova do të mund të fillonte një proces negocimi të një marrëevshje finale me Serbinë në cilindo nivel, qoftë në nivel evropian apo bilateral. Kosova aktualisht nuk ka përfaqësues legjitim të zgjedhur të cilët e kanë kapacitetin kushtetues përfaqësues të Kosovës në këtë nivel.  Pra, po Kosova duhet të presë deri në zgjedhjen e organeve të reja përfaqësuese legjitime në zgjedhjet e parakohshme për dialogun me Serbinë”, përfundon Mazreku.

Fillimi i bllokadës së dialogut me Serbinë, konsiderohet të jetë taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.

Heqja e saj u kërkua së fundmi edhe nga shtetet e QUINT-it, të cilat i bënë thirrje dy vendeve që të shmangin veprimet që bien ndesh me arritjen e marrëveshjes përfundimtare.