Një hapësirë e tillë, sipas analistëve politik la vend edhe për bashkëngjitjen e partive tjera në këtë koalicion.
Kjo po konfirmohet edhe nga vetë zyrtarë të këtyre dy subjekteve.
Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu për lajmi.net tha sot se të gjitha kompetencat për diskutime lidhur me koalicione të reja të mundshme, i ka kryetari i partisë, Ramush Haradinaj.
Ajo konfirmon se do të ketë edhe bashkime të reja, të partive më të vogla.
“Haradinaj ka të gjitha kompetencat në bazë të Këshillit Drejtues për të vazhduar edhe me subjekte të tjera në koalicion, konsideroj me të vogla, por gjithsesi me peshën e vetë politike. Ai i ka të gjitha kompetencat për të biseduar dhe kështu po vepron, pra presim edhe ardhje të reja”, thotë Haxhiu.
Deputetja beson se ky bashkim forcash do të dalë me rezultat të kënaqshëm në zgjedhje.
“Aktualisht jemi shumë të mirë, dhe jemi fuqia më e madhe si Aleancë, por edhe një subjekt si PSD-ja që pas daljes nga VV-ja e kanë pasur një qasje konstruktive në Kuvend është me interes për vendin, dhe besoj që do ia dalim”, thekson Haxhiu.
Konfirmim për bashkëngjitjen e partive tjera në koalicion po japin edhe nga PSD-ja.
Zëdhënësja e këtij subjekti, Natyra Kuqi, për lajmi.net thotë shkurtë, se PSD e AAK janë të hapur për subjekte tjera, dhe se ka mjaft vend në listën zgjedhore.
“Jemi të hapurë për subjekte tjera, edhe numra ka mjaftueshëm”, thotë Kuqi.
Haradinaj e Ahmeti, bashkëpunimin institucional e kishin nisur në kohën sa kreu i PSD-së ishte edhe kryesues i Ekipit Negociator.
Sidoqoftë, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, dikur bashkëpunëtor në partinë FER me Shpend Ahmetin, thotë se ky i fundit kishte tendenca të bashkohej me AAK-në që nga 2009-ta.