Policia e Kosovës ka dhënë detaje për gjuajtjen me armë që ka ndodhur sot në Komunën e Prishtinës, derisa, u bë e ditur se nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas policisë, informacionin e kanë marrë sot rreth orës 13:00, derisa bëhet e ditur se ka pasur të shtëna me armë zjarri.
“Sot rreth orës 13:00, kemi pranuar informatën se në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë, ka pas të shtëna me armë zjarri. Policia me të marrë informatën, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke e bërë ekzaminimin e vendit, ku ka ndodhë rasti” bën të ditur policia.
Tutje, bëhet e ditur se dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri në mes të dy grupeve, të cilët kanë vazhduar të shtënat edhe pasi janë futur në veturat e tyre me të cilat kanë lëvizë në rrugën e sipërshënuar.
“Në kuadër të veprimeve të saj policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, shkruhet në njoftim.