Aksident tragjik në Gjermani, ndërron jetë futbollisti shqiptar Amir Ademi

Aksident tragjik në Gjermani, ndërron jetë futbollisti shqiptar Amir Ademi

Futbollisti shqiptar nga Kosova, Amir Ademi ka ndërruar jetë duke lënë pas vete prindërit e tij, një motër më të vogël dhe një vëlla më të vogël.

Të martën mbrëma ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka humbur jetën i riu shqiptar, futbollisti Amir Ademi.

Njoftimin e vdekjes së tij në aksident trafiku e ka dhënë në Facebook klubi shqiptar, FC Kosova Regensburg.

“Të dashur vëllezër edhe motra e miq të nderuar. Me hidhërim edhe dhimbje të thellë ju lajmërojmë se vëllai, miku edhe i dashuri jonë, Amir Ademi ka ndërruar jetë pas një aksidenti tragjik që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme…”.

“Ngushëllime familjes edhe të gjithë miqve edhe shokëve për këtë humbje të madhe”.

“Amiri do të jetë gjithmonë në zemrat tona”, thuhet në njoftimin e FC Kosova Regensburg.

Sipas mediave gjermane, 22-vjeçari u aksidentua në rrugën midis qyteteve Abensberg dhe Arnhofen, duke u kthyer pas stërvitjes.

Ademi thuhet se ishte duke vozitur një veturë të markës Peugeot, derisa është përplasur me një Pasat, ku vozitësi i kësaj veture është lënduar dhe është dërguar në spital, ndërsa vetura e futbollistit shqiptar ishte kapluar nga zjarri dhe ai nuk kishte arritur të dilte.

Pas këtij rasti, ndeshjet e klubit shqiptar në Gjermani janë anuluar, derisa Ademi ishte pjesë e klubit nga viti 2016, duke u konsideruar një talent i jashtëzakonshëm, por edhe një person shumë i mirë.