Një grup studentësh të masterit shkencor në Shkenca Komunikimi, prezantuan pranë bibliotekës së Kolegjit Universitar “Bedër, fushatën sensibilizueze “Një Libër për Preshevën”.
Nisma bëri bashkë personalitete të fushave të ndryshme, politikan, përfaqësues të botës akademike, të gazetarisë dhe shoqërisë civil. I ftuari i nderit në këtë aktivitet, kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ndau me të pranishmit lajmin e mirë se më në fund, po shkon drejt zgjidhjes problematika shumëvjecare e mungesës së teksteve shqip për nxënësit në shkollat e Luginës së Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit.
“Marrëveshja e arritur vitin e kaluar mes Rames dhe Vucic ku kam qënë prezent edhe unë mbi sjelljen e teksteve shkollore nga Shqipëria, ka arritur një sukses të parë. Jemi njoftuar se tekset shqip do të sillen nga Shqiperia drejt Serbisë për tu harmonizuar me programin e ministrisë së Arsimit të Serbisë dhe për pasojë duke nisur nga viti shkollor 2018-2019 ne do të kemi 43 tekste të reja shqip për të gjithë nxenësit tanë në Lugine, gjë e cila ndodh pas 10 vjetesh. Drejtuesi më i rëndësishëm vendor ne Luginen e Preshevës trha se kjo pjesë ku jetojnë shqiptaret ka sfide te mëdha përpara duke nisur nga uji i pijshëm, energjia elektrike, infrastruktura, mungesa e teksteve shkollore dhe thithja e investitoreve nga Shqiperia dhe Kosova. Z.Arifi kërkoi më shumë vëmendje dhe angazhim nga Shqipëria për Luginen e Preshevës, duke e konsideruar nismën studentore për mbledhjen e librave dhe mjeteve arsimore një simbol dhe mësim të mirë të asaj që shqiptaret në Serbi presin edhe nga politika shqiptare.
Nderkohë Zv.Ministri i Arsimit, Rinisë dhe Sporteve i Shqipërisë, Shpati Kolgega e konsideroi fushatën “Një Libër për Preshevën”, një nisëm me dimension shpirtëror që bën bashkë të rinjve shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Z.Kolgega premtoi angazhimin e tij që nisma të jetë mbarëkombëtare me përfshirjen edhe të shkollave dhe universiteteve të vendit. Publicisti dhe pedagogu Agron Tufa dha shembullin konkret të ndihmës në këtë fushate duke dhuruar 200 libra në ndihmë të femijeve në shkollat e Luginës së Preshevës ndërsa deri tani në pak ditë të nismës janë grumbulluar afro 1 mijë libra dhe shuma monetare nga individë dhe biznese që do të dërgohën në shkollat e Luginës së Preshevës në fillim të muajit mars.