Kandidati i PSD-së për deputet nën hetime për vepër penale

Kandidati i PSD-së për deputet nën hetime për vepër penale

Ministri në largim, i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, i cili ditë më parë i’u bashkua partisë së Shpend Ahmetit PSD-së, po hetohet për veprën penale kanosje ndaj zyrtarit të MASHT, Ferit Idrizi.

Në një përgjigje me shkrim Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se rasti është duke u trajtuar në Departamentin e Përgjithshëm.

“ Duke ju referuar pyetjeve të parashtruar nga ana juaj, lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 11.06.2019, ka pranuar kallëzim penal kundër Sh.B., në drejtim të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Rasti është duke u trajtuar në Departamentin e Përgjithshëm, ndaj të cilit po ndërmerren veprime hetimore deri në zgjedhjen përfundimtare të tij.” Ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast Front Online, ka kontaktuar edhe me Ministrin Bytyqi.

Ai ka thënë se: “ Kjo është temë e mbyllur është temë e harruar, nuk e di se çfarë është kjo pyetje kështu, të diskutohet një temë e qershorit”, tha ai.

Drejtorit i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikanë në MASHT, Ferit Idrizi në muajin qershor e ka denoncuar në polici ministrin e MASHT për kërcënim fizik. Idrizi ka treguar arsyen pse është kërcënuar nga ministri Bytyqi.

“Sepse unë nuk e kam nënshkruar një dokument i cili kam konsideruar që është i paligjshëm dhe edhe sot mendoj se është i paligjshëm sepse është përgatitur nga Kabineti i Ministrit e jo nga Zyra Ligjore. Është fjala për një raport në mes të Këshillit Shtetëror të Cilësisë me Komisionin e Ankesave. Si duket, vendimet e KSHC-së nuk i kanë pëlqyer dikujt”, ka thënë ai.

Bytyqi është kandidat për deputet në listën e koalicionit AAK-PSD, ai në listë mbanë numer 35