• E mërkurë / Jan-29 02:04
  • Kontakt

Thaçi thotë se japonezët janë të interesuar për investime në Kosovë

Thaçi thotë se japonezët janë të interesuar për investime në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës shtetërore në Japoni, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të odave ekonomike të Japonisë, si dhe me deputetë të parlamentit japonez, në të cilin ai theksoi se është koha që të krijohen shembuj konkret të investimeve japoneze në Kosovë.

Thaçi ka thënë se ambienti i të bërit biznes në Kosovë është më konkurrenti në rajon dhe se shumë shpejt do të emërojë një konsull nderi në Osaka, i cili do të jetë një urë lidhëse ndërmjet shteteve, popujve dhe bizneseve të Kosovës.

Sipas presidentit, Kosova si shtet i ri ka potenciale të mëdha për investime, sipas të cilit, Kosova lehtë mund të shndërrohet në një qendër të bizneseve dhe investimeve japoneze që kanë për synim tregun evropian.

“Unë shpresoj se Kosova si shtet i ri dhe i mundësive të mëdha do të jetë një potencial i jashtëzakonshëm për mundësitë e jashtëzakonshme që ka Osaka, Japonia, investitorët e tyre për të investuar në veçanti në sektorin e minierave, në atë të bujqësisë, në energjetikë, në turizëm dimëror, por edhe në shumë sfera të tjera të jetës institucionale, por dhe të ekonomisë në Kosovë në teknologji informative, por edhe për mundësinë e ardhjes së të rinjve kosovar për të studiuar në universitetet prestigjioze këtu në Osaka”, deklaroi ai.

Në këtë takim u konfirmua pjesëmarrja e Kosovës në panairin më të madh në botë “Osaka Expo 2025”, ku Kosova ka siguruar një pavion për promovimin e mundësive investive dhe produkteve të bizneseve.