Katër fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeçare dhe e ëma e tyre Fatime Zylbehari 39 vjeçe, kanë humbur jetën në zjarrin që mëngjesin e sotëm kaploi shtëpinë e tyre në rrugën Goce Dellçev në Tetovë. Shkaktari i zjarrit zyrtarisht ende nuk dihet, por dyshohet që ai të jetë shkaktuar nga koftori. Flakët fillimisht kanë përfshirë katin e dytë ky kanë qenë duke fjetur pesë viktimat dhe më pastaj është përhapur edhe në katin e poshtëm dhe shtëpinë fqinje. Nga kati i parë kanë arritur të shpëtojnë gjyshja dhe gjyshi i të viktimave, ndërsa në shtëpinë fqinje nuk ka pasur banorë. Rasti tek zjarrfikësit është lajmëruar në orën 4 e 15 minuta të cilët kanë intervenuar me 21 zjarrfikës dhe nëntë makina. Sipas tyre, intervenimi ka qenë i shpejtë.
Nga ana jonë dolëm menjëherë me katër automjete kundër zjarrit dhe 13 zjarrfikës por me të arritur në vendngjarje kemi parë tmerr sepse gjitha shtëpitë ishin mbuluar nga zjarri dhe u sulëm në punë për të kryer detyrën tonë. Nuk lejuam të përhapen flakët që të ndodh ndonjë katastrofë edhe më e madhe, por, për fat të keq ka viktima sepse janë shtëpi të vjetra shumë – deklaroi Uka Aliti. Kryeshef i NJTKZ, Tetovë.
Por, edhe pse zjarrfikësit thonë që kanë arritur në kohë, familjarët kanë akuzuar organet komunale për ndërhyrje të vonuara dhe për vështirësitë me të cilat janë përballur ekipet, shkaku i makinave të parkuara në rrugë dhe rrugët e ngushta të lagjes.
“Unë jam dakord edhe me këtë shokun se këta mundohen, të depërtojnë nëpër këto gjëra kurse ju nëpër zyrat tuaja lejoni të shkatërrohen të gjitha”.
“Vonë kanë ardhur. 15 apo 20 minuta janë vonuar pasi u ndez zjarri janë shumë 20 minuta. Për 20 minuta digjet shtëpia e gjitha”.
“Si nuk është tragjike, si nuk është rast tragjik? Tragjedi më të madhe s’ka, zjarr me pasojë vdekje. 5 vjeç ka qenë më i vogli, 14 më i madhi”.
“Më keq s`ka ku shkon por s`kemi ç’të bëjmë tani, punë e Zotit, s`kemi ç’bëjmë aspak. Katër fëmijë dhe e ëma, pesë. Ka pesë orë që presin të vinë prej Shkupi, tani kanë ardhur. I ati i fëmijëve me injeksione rrinë aty, çfarë të bëjë”.