Kryetari i komisionit të kuvendit të Serbisë për Kosovë, Milovan Drecun, thotë se e gjithë qëllimi i zgjedhjeve në Kosovë është stabilizimi i skenës politike mes shqiptarëve, ngritja e pushtetit ekzekutiv i cili do të jetë më i bashkuar rreth çështjeve kryesore politike, nuk mendon se janë të gatshëm të ulen në tavolinën e negociatave me Serbinë.
Sipas Drecun e gjithë përpjekja e zgjedhjeve në Kosovë bëhet që të forcohet ekzekutivi kosovar për të u ballafaquar me Beogradin në një pozicion më të fortë në negociata.
Milovan Drecun shtoi se, sipas tij, se tek udhëheqësit ekzistues shqiptarë nuk shihet gatishmëri të ulen në tavolinën e negocimit e të përkushtohen seriozisht negociatave me Serbinë.
“Nuk besoj se do të ketë parti të reja politike me liderë të padëgjuar deri tani të cilët do të merrnin mbështetje më të madhe të shqiptarëve në Kosovë që pastaj të kenë peshë më të madh politike, Mendoj se shpërndarja do të bëhet mes partive politike kryesore e ato do të fitojnë besimin e qytetarëve. Janë të mundshme koalicione të reja por me akterë të vjetër”.
Derisa nuk është shumë optimist me politikanët kosovar, Drecun ngushëllohet me mendimin e tij se Kancelarja Merkel kishte zbutur qëndrimin e ngurtë të saj rreth kushteve të anëtarësimit për Serbinë në BE.
Ku e gjeti këtë vlerësim Drecun vetëm ai e di pasi Kryeministrja serbe, Ana Brnabic, ishte e qartë kur tha se i vetmi mospajtim me Kancelaren Merkel ishte qëndrimi rreth Kosovës.
“E dëgjuam edhe një gjë nga kancelarja Merkel ku ajo kishte zbutur pak qëndrimin e saj pasi tha se diçka duhet bërë rreth Kosovës nëse duam anëtarësim në BE, kjo nuk është ai qëndrimi i ngurtë që Serbia thjeshtë duhet të tejkalojë e të pranoj Kosovën. E nëse kjo është drejtim i ri atëherë ai përafrohet me qëndrimin amerikan e francez, që zgjidhja duhet të vjen nga kompromisi” vlerësoi Drecun.